Ish- deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, i pakënaqur prej kohësh nga të djathtët ditën e djeshme kaloi në radhët e socialistëve.
Me vendim të qeverisë “Rama”, ish-ligjvënësi demokrat u emërua një ditë më parë kryeinspektor i përgjithshëm, post të cilin më herët e mbante Shkëlqim Hajdari.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar për herë të parë Sali Berisha. Në një komunikim me qytetarët në rrjete sociale, Berisha e quan Sulën tradhtar.
Berisha: Unë njëherë në radhë të parë shpreh mirëkuptimin tuaj të plotë për indinjatën tuaj. Dhe do të them një gjë këtu, e kam menduar shpeshherë këto kohë. Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë.
Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë. Po, por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin… dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz.
Dashnor Sula u distancua nga Partia Demokratike dhe Berisha, menjëherë pasi u la jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai kritikoi vazhdimisht liderin demokrat dhe kupolën drejtuese të partisë, duke shkuar drejt divorcit përfundimtar me opozitën, tashmë si një nga zyrtarët më të lartë të qeverisjes socialiste.


