Deputeti Dashnor Sula përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se ai nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit.
Nuk kemi të bëjmë me një tërheqje të Sulës, por siç ai argumenton PD do ta lërë jashtë listave për shkak se ka shprehur qëndrime pro SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë.
Deputeti opozitar shpreh falënderime për qytetarët e 5 bashkive të qarkut të Elbasanit, të cilët e kanë votëbesuar në 2021, por edhe për demokratët që e votuan në Primare, ku doli më i votuari me 550 vota.
Në postimin e gjatë Sula ngre pikëpyetje nëse lista e PD që pritet të publikohet në orët e vona të mbrëmjes, do të jetë fituese apo për një përfitues.
POSTIMI I DASHNOR SULËS:
Listë fituese apo listë për një përfitues?!
Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të listës për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe te trumbetuara ne media?!
Ndonëse 70-80% e kryesisë së PD defakto ishin kundër primareve, referuar statutit dhe insistimit të PD, primaret u zhvilluan. Si një deputet i qarkut të Elbasanit që përfaqësoj Bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, pas 4 vitesh deputet u futa me bindjen pa bërë kulisa të brendshme për të parë a kisha mbështetjen e demokratëve për ri përfaqësuar edhe një mandat. Faleminderit demokratëve, të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshit e Belshit, dola i pari si më i votuar.
Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.
Instituti i Studimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje.
Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojt edhe Partinë Demokratike.