Eve Jobs, vajza e themeluesit të Apple, Steve Jobs, dhe partneri i saj, kampioni olimpik në kalërim Harry Charles, do të kurorëzojnë dashurinë e tyre këtë gusht në një dasmë që tashmë po cilësohet si “ngjarja shoqërore e vitit”.
Ceremonia do të zhvillohet në peizazhet përrallore të Cotswolds, ndërsa lista e të ftuarve përfshin emra të mëdhenj nga politika, teknologjia dhe aristokracia.
Sipas Daily Mail, pritet që në dasmë të marrin pjesë Princesha Beatrice e Britanisë dhe bashkëshorti i saj, Edoardo Mapelli Mozzi, duke e lidhur kështu martesën edhe me familjen mbretërore britanike. E pranishme do të jetë gjithashtu edhe Kamala Harris, ish-nënpresidente e SHBA-së dhe mike e ngushtë e nënës së nuses, Laurene Powell Jobs. Harris dhe Laurene janë lidhur prej kohësh përmes angazhimeve politike dhe sociale, ndërsa kjo e fundit njihet për mbështetjen ndaj fushatës presidenciale të Harris.
Lista e të ftuarve nuk ndalet me kaq: Jennifer dhe Phoebe Gates, vajzat e bashkëthemeluesit të Microsoft, Bill Gates, janë gjithashtu të ftuara. Megjithëse prindërit e tyre, Bill Gates dhe Steve Jobs, njiheshin për një rivalitet të gjatë në teknologji, vajzat e tyre janë shoqe të afërta dhe ndajnë pasionin për hipizmin. Të dyja kanë studiuar në Universitetin Stanford, janë kalorëse profesioniste dhe familjet e tyre zotërojnë prona pranë njëra-tjetrës në Florida.
Harry Charles, dhëndri i ardhshëm, është djali i kalorësit të famshëm britanik Peter Charles dhe ka fituar medalje ari në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Marrëdhënia e tij me Eve Jobs u bë publike dhjetë muaj më parë dhe që atëherë ata kanë qëndruar larg vëmendjes mediatike.
Eve Jobs, ndonëse ka studiuar Shkencë, Teknologji dhe Shoqëri, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në industrinë e modës. Ajo është pjesë e agjencisë prestigjioze DNA Model Management, që përfaqëson modele si Kaia Gerber dhe Emily Ratajkowski. Eve ka qenë imazhi i disa fushatave të mëdha dhe ka ecur në pistën e Louis Vuitton në Javën e Modës në Paris.
Me një përzierje të elitës teknologjike, shoqërisë së lartë, figurave mbretërore dhe sportistëve olimpikë, kjo dasmë pritet të jetë jo vetëm një ngjarje e bukur personale, por edhe një spektakël ndërkombëtar.