Debati kontrovers lidhur me statistikat e Messit: Goli i “vjedhur” nga Sanchez

0
375

Lionel Messi është gati ta arrijë shifrën prej 700 golave të shënuara si futbollist profesionist, nëse llogariten edhe golat e shënuara për Argjentinën e edhe ato për Barcelonën.

Vetëm dy gola e ndajnë Lionel Messin nga shifra prej 700 golave të shënuara, edhe pse ndoshta do të duhej të kishin qenë tri gola, shkaku i golit kontrovers të Messit në Mallorca më 2012, ku pretendohet se golashënuesi i vërtetë kishte qenë Alexis Sanchez, transmeton Gazeta Express.

Gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë, sipas të dhënave të siguruara nga ProFootballDB, i ka shënuar gjithsej 698 gola gjatë karrierës së tij, prej të cilave 628 me Barcelonën dhe 70 me Argjentinën.

Megjithatë, njëri ndër golat e shënuara nga ai mbeten kontrovers në sytë e shumë tifozëve të futbollit, të cilët pretendojnë se argjentinasit në të vërtetë i duhen edhe tri gola për ta arritur shifrën prej 700 golave, jo dy.

Më 24 mars të vitit 2012, Barcelona u përball me Mallorcan në Son Moix. Ndeshja përfundoi me rezultat 2:0 në favor të katalonasve. Njëri gol, ose të paktën sipas raportit zyrtar të gjyqtarit të ndeshjes, u shënua nga Messi.

Në pamjet nga ajo ndeshje shihet se argjentinasi e gjuan topin, mirëpo Alexis Sanchez e zgjat qafën, e godet topin me këmbë dhe e drejton atë drejt portës.

Përkundër këtij devijimi nga ana e Sanchezit, raporti zyrtar i gjyqtarit ia atribuon golin Messit.

Por, edhe Sanchez vetë i kishte thënë Messit se golin në fakt e kishte shënuar ai. Në videot e publikuara pas ndeshjes, kiliani shihet duke i thënë argjentinasit: “Unë e preka, por goli është i yti Leo”.

Gazeta Express