Debati televiziv përfundon me grushte, kandidati për kryebashkiak godet me karrige kokës rivalin

0
43

Skena të ngjashme me ato të një përleshje në Wrestling ishin ato që ofroi debati televiziv për zgjedhjet lokale në Brazil mes Jose Luiz Datena dhe rivalit të tij politik, Pablo Marcal.

Moderatori brazilian, i cili është duke garuar edhe për kryetar bashkie të qytetit të Sao Paulos mori një karrige prej hekuri dhe goditi drejt e në kokë rivalin e tij.

Marcal ishte në gjendje të shmangte pjesërisht goditjen, por u shtrua në spital pasi mjekët konstatuan thyerje të brinjëve dhe vështirësi në frymëmarrje pas sulmit brutal.

Influencuesi Marcal, i cili garon për ekstremin e djathtë e nervozoi Datenën duke i përmendur akuzat për ngacmime seksuale të bëra kundër prezantuesit të TV, të cilat ishin rrëzuar nga prokurorët.

Kjo çoi në një shkëmbim fyerjesh që përfundoi me sulmin fizik. Marcal kishte akuzuar edhe më parë rivalin e tij politik se donte ta sulmonte atë gjatë një debati të mëparshëm televiziv, por hoqi dorë sepse ai nuk ishte “mjaftueshëm burrë”.

Debati i organizuar nga TV Cultura u pezullua për pak kohë pas skandalit me përplasjen fizike mes kandidatëve. Debati rinisi me kandidatët e mbetur pasi Marcal u dërgua në spital dhe Datena u përjashtua duke u nxjerrë jashtë godinës nga sigurimi.