Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet në lidhje me rastet e helmimeve në Deçan, ku do merren në intervistë disa persona.
Mediat kosovare, bëjnë me dije se Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.
“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i videokamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka thënë Nikqi.
Mësohet se intervistimi ka filluar, ndërkohë nuk dihet se sa persona do merren në pyetje në lidhje me rastin në fjalë.
Nikqi tha se dy prokurorë dhe institucionet përkatëse në koordinim me policinë janë duke punuar në terren dhe në vazhdimësi ka veprime hetimore që priten të nxirren në vendin e ngjarjes.
Komuna e Decanit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e helmimeve.
Deri tani në Deçan janë regjistruar mbi 1500 persona që kanë kërkuar trajtim shëndetësor për shkak të helmimit.