Nuredin Dumani ka qenë kryefjala e ngjarjeve të ditës së djeshme sa i përket atentatit të ndodhur në Elbasan, ngjarje që drejtoi në kapjen e të shumëkërkuarit, i cili u gjet i plagosur në një apartament në Fier.
Fax News ka arritur të sigurojë foton e shtetasit Nuredin Dumani i cili prej kohësh ishte shpallur në kërkim si i dyshuar kryesor për disa vrasje në vend.
Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, Dumani kishte ndryshuar pamje duke u “kamufluar” në mënyrë që të mos njihej nga forcat e policisë të cilët vetëm mbrëmjen e djeshme arritën ta vinin në pranga. Fotoja duket të jetë realizuar në momentin e arrestimit të tij nga forcat e policisë.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin pasditen e djeshme, në të njëjtin vend ku kanë ndodhur dhe atentate të tjera. Fillimisht u njoftua nga policia për BMW-në që u qëllua me breshëri dhe që ishte më targa të vjedhura në qytetin e Durrësit që në prill të vitit 2021.
Mjeti BMW ishte i Nuredin Dumanit dhe pas shkëmbimit me armë zjarri që mendohet se ka pasur me Talo Çelën, braktisi makinën dhe u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Gjatë kontrollit policia gjeti në automjet një kallashnikov edhe një bidon me 5 litra benzinë.