Del nga burgu italiani që vrau shqiptarin që tentoi ti shembte shtëpinë

0
123

Sandro Mugnai, italiani që vrau shqiptarin Gëzim Dodoli, ka lënë qelinë. Sipas mediave italiane, Mugnai, vrau me armë shqiptarin, pasi tentoi t’i shkatërronte shtëpinë me ekskavator, u la i lirë nga kjo e fundit. Kjo pasi trupi gjykues vlerësoi se 53-vjeçari kishte vepruar në vetëmbrojtje. Hetimet nga policia kanë nisur prej ditësh, por tashmë tabloja do të dukej e qartë dhe avokatët e 53-vjeçarit do të vazhdojnë tezën e vetëmbrojtjes.

Do të vazhdojnë të pretendojnë se Mugnai qëlloi për të shpëtuar veten dhe familjen: 6 persona, të ëmën e moshuar, bashkëshorten, djalin e vogël, vëllain dhe të afërm tjerë, që rrezikonin të vdisnin nëse do të shembej çatia si pasojë e goditjeve nga ekskavatori. Banesa në fjalë u shpall e pabanueshme, që ditën e ngjarjes. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, në seancën gjyqësore, Mugnai tregoi edhe dinamikën e ngjarjes që duket se edhe bindi gjykatësin. Sipas 53-vjeçarit, të shtënën e parë e gjuajti përtokë, jo në drejtim të fqinjit të tij Gëzim Dodoli, e më pas e paralajmëroi duke i bërtitur: Ndal!

Po në ato momente, vëllai i autorit kishte dalë në dritare dhe po përpiqej të bindte shqiptarin që të ndalej, por pa sukses. Të shtënat e tjera iu drejtuan Dodolit, i cili gjeti vdekjen në vendngjarje. Por çfarë alternative kishte i zoti i shtëpisë? Sipas gjykatësit të çështjes, të paktën subjektivisht, ekzistonte rreziku që personat që ndodheshin në shtëpi të humbnin jetën, ndaj dhe ishte mbrojtje e ligjshme.

Në këtë mënyrë bie akuza e vrasjes me dashje, me të cilën Mugnai u arrestuar nga karabinierët natën mes 5 dhe 6 janarit. Në telefon i kishte marrë vetë ai: Hajdeni se ka ndodhur një tragjedi. Më herët në mediat italiane është raportuar se mes fqinjëve, të cilët dikur kishin qenë miq, kishte prej kohësh mosmarrëveshje. Megjithatë ende mbetet mister çfarë e shkaktoi sulmin e së enjtes, pasi më herët atë ditë mes tyre nuk kishte pasur një debat.

Në orët e fundit, për më tepër, duket se ka dalë arsyeja e cila gradualisht do të kishte çuar në një shtrëngim gjithnjë e më radikal të marrëdhënieve midis dy familjeve të lidhura dikur nga një ndjenjë e miqësisë së thellë: sipas asaj që raportonte gazeta La Nazione, çarjet e para në marrëdhëniet mes Mugnait dhe Dodolit do të ishin shfaqur për shkak të disa tubave që nuk funksiononin. Shqiptari do t’i kishte vënë në dukje vazhdimisht praninë e erërave të këqija, ndoshta për shkak të një defekti në tubacionet e kullimit të shtëpisë së tij, me ujërat e zeza që me sa duket përfundonin në tokën e tij. Do të kishin pasuar diskutime të shumta të cilat gradualisht u bënë gjithnjë e më të ndezura, deri në epilogun dramatik të 5 janarit të kaluar.

Mattia Mugnai, djali i Sandros, shpjegoi pak ditë më parë se babai i tij nuk kishte alternativa dhe ishte detyruar të hapte zjarr: ai ishte përpjekur të bindte Dodolin të hiqte dorë, duke i treguar se si ndërtesa rrezikonte të shembet me ata brenda. Duke mos marrë asnjë përgjigje, duke mos parë asnjë rrugë shpëtimi që mund të ndërmerrej shpejt, 54-vjeçari përdori pushkën, të cilën e përdorte për të gjuajtur derrat e egër.