“Dëme të pariparueshme”/ Sekuestroja ndaj pasurive të Ylli Ndroqi/ Avokati: Dorëzuam kërkesën për revokim të vendimit

0
248

Dy avokatët e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi, Besnik Muçi dhe Jordan Daci, kanë depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për revokim të vendimit të gjykatës, e cila ka vënë nën sekuestro prej rreth tre muajsh pasuritë e zotit Ndroqi.

Sipas Muçit, vendimi për sekuestro ka qenë një vendim i nxituar pas prokuroria nuk ka kryer një hetim të hollësishëm dhe të plotë. Ndërsa shtoi se, kjo sekuestro ka sjellë dëme të mëdha për presidentin e RTV Ora dhe Ora News.

Avokati shtoi se, “çdo cent apo qindarkë e shpenzuar nga zoti Ylli Ndroqi rrjedh nga burime të ligjshme e të deklaruara“.

Besnik Muçi: “Dorëzuam në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kërkesë për revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Apelit për vendosjen e masës sekuestro, në kuadër të ligjit Anti-Mafia, për pasuritë e shtetasit Ylli Ndroqi.

Ne e paraqitëm në prokurori duke vlerësuar se qëndrimi në fuqi i masës së sekuestros ka dëmtuar dhe po dëmton në mënyrë të pariparueshme, ka ulur në mënyrë drastike vlerën e pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi si dhe ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme imazhin e markave të njohura që ky shtetas përfaqëson këtu.

Në gjykimin tonë, kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës për vendosjen e masës së sekuestros, minimumi ka qenë një kërkesë e nxituar pasi prokuroria nuk ka kryer hetim të plotë, sipas parashikimeve të Ligjit Anti-Mafia. Sipas nenit, 2, 6, 7, 8, 9, 10 të këtij ligji.

Përveç se ka kryer verifikimin e pasurisë që ka, zoti Ylli Ndroqi nuk ka kryer asnjë hetim lidhur me burimin e të ardhurave.

Sipas provave që paraqitëm në prokurori rezulton se, çdo cent apo qindarkë e shpenzuar nga zoti Ylli Ndroqi rrjedh nga burime të ligjshme e të deklaruara”.

Prej disa muajsh “Yldon Media Group” dhe presidenti i saj Ylli Ndroqi gjenden në një presion të fortë politik dhe policor, ku nuk kanë munguar as aksionet show në ambjentet e RTV Ora dhe Ora News.

Dy televizionet RTV Ora dhe Ora News së bashku me 24 pasuri të tjera të Presidentit të Yldon Media Group Ylli Ndroqi janë në sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Vendimi u mor përkundër faktit se dy televizionet janë blerë me kredi nga bankat.

Disa ditë më parë, qeveria largoi administratorin e RTV Ora dhe Ora News, i vendosur nga Gjykata Arjan Baçi duke sjellë dy administratorë të rinj, “njerëz të saj”.

Ora news