Kreu “i rrezikshëm” i një bande të krimit të organizuar në Britaninë e Madhe, që rrëmbente dhe torturonte viktimat me armë, thika, ujë të valuar etj, në këmbim të parave dhe bizhuterive të shtrenjta është dënuar me 25 vjet burg.
Më 11 dhjetor 2020, shqiptari Ledio Ibrahimi, i cili jetonte në Cardiff mori një mesazh nga shoku i tij “Marcus”, një pseudonim që përdorej nga koka e bandës Fortune Lawson, i cili i sugjeroi të takoheshin. Lawson drejtonte një biznes online ushqimor dhe jetonte në zonën Grangetown të Cardiff me të dashurën e tij, Ashley Emery. Ibrahimi e kishte njohur Lawson rreth tre vjet më parë pasi kishte blerë kanabis prej tij
Dyshja u takuan rreth orës 17:00 atë pasdite dhe pasi blenë pije dhe ujë, Lawson i sugjeroi të shkonin në “Alex’s” për të pirë kanabis. Ky ishte kurth, dhe Lawson në fakt po e çonte viktimën e tij në një pritë ku e priste një bandë e armatosur që kishin udhëtuar nga Londra. Gjykata dëgjoi se Ibrahimi ishte përzgjedhur për rrëmbimin, sepse Lawson besonte se ai mund të zhvaste prej tij një shumë të madhe parash. Ai e çoi viktimën e tij në një banesë në qytet dhe e torturoi duke i zhytur kokën në ujë, rrahur dhe kërcënuar herë me armë, e herë me thika dhe me një “qen sulmues”.
Banda i kërkonte viktimës 100,000 paund dhe se do ta mbanin peng derisa ai të paguante.
Ibrahimi u detyrua të telefononte një mik për të rregulluar dorëzimin e një shume fillestare prej 50,000 paund, por miku e denoncoi rastin në policinë e Uellsit të Jugut dhe e raportoi si një “situatë për jetë a vdekje”. Pa e ditur rrëmbyesit, negociatorët e pengjeve u vunë në punë për monitorimin e telefonatave për dhënien e këstit të parë prej 50.000 paund.
Viktima u dërgua në një fortesë tjetër në Hemel Hempstead, Hertfordshire, ku kalvari i tmerrshëm i kërcënimeve me armë vazhdoi përpara se ai të shpëtohej përfundimisht nga policia e armatosur, të cilët e gjetën atë të lidhur me kabllo në kyçet e dorës “duke u tundur dhe duke qarë nga tmerri që kishte përjetuar”.
Dëshmitë e ADN-së të marra nga gjaku i gjetur në banesën në Cardiff e shtynë policinë të identifikonte edhe një viktimë tjetër rrëmbimi, edhe ai shqiptar. U identifikua si Halim Vladi, i cili gjithashtu ishte mbajtur kundër vullnetit të tij dhe ishte dhunuar njësoj si bashkatdhetari i tij.
Tetë anëtarë të tjerë të bandës, të gjithë të përfshirë në të paktën një deri në tre herë në rrëmbime dhe komplote u dënuan gjithashtu nga e njëjta gjykatë.
Davood Assadpour, 33 vjeç dhe Micaiah Marley, 30 vjeç, u burgosën me 15 vjet; 27 -vjeçarët Arnold Fumemeya dhe Alexis Mutesa me 13 vjet; Gideon Lawson, 24 vjeç, me 12 vjet burg; Ahmed Omar, 29 vjeç, me 9 vjet; Stephen Isaac, 66 vjeç, me 6 vjet; dhe Denis Delishaj, 34 vjeç, me 8 vjet burg.
Gjykata dëgjoi se Denis Delishaj me origjinë shqiptare, luajti një “rol të rëndësishëm” në shantazhimin e Ledio Ibrahimit, por ndërsa ai nuk ishte pjesë e rrëmbimit apo torturës, ai ishte “në anën tjetër të telefonit” dhe teksa ndodhte dhuna përkthente fjalët e viktimës kundrejt shpërblimit.
Top Channel