Gjykata e Tiranës, ka dënuar me 2 vite burgim ish-Sekretarin e Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj. Gjithsesi, ai do t’i shpëtojë qelisë së burgut, pasi dëmnimi i është konvertuar në shërbim prove.
Arlind Gjokutaj, është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, teksa akuzohet se bashkë me Drejtorin Juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli, i kanë shkaktuar buxhetit të shteti një dëm prej 1.2 milionë eurosh, duke trajtuar si ish-pronar Ilir Thanën.Gjithçka nisi pas një kallëzimi të një banke të nivelit të dytë drejtuar Prokurorisë së Tiranës për një kredi të pashlyer, që zbuloi skandalin se si Ilir Thana u shpërblye dy herë për një pronë të blerë në vitin 1992, e cila iu kthye ish-pronarit tre vite më vonë.
Më vendim gjykate, Ilir Thanës ju kthen paratë për blerjen e magazinës në vlerën e çmimit të tregut të kohës. Më konkretisht, mes shtetasit Ilir Thana dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, u lidh një kontratë blerjeje për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992.
Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm.
Edhe pse qytetari u pagua në vitin 2015 nga Ministria e Financave, në vitin 2022 pavarësisht kësaj, së bashku me një zyrë përmbarimore nën hetim u krye rivlerësimi duke i vendosur çmimin prej 145 milionë lekë të reja që shteti duhet t’ia paguante sërish. E njëjta ministri i kaloi sërish 480 milionë lekë Thanës dhe të të motrës, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm.
Arlind Gjokutaj, u arrestua më 11 Janar të vitit 2023, ndërkohë që u lirua më pas nga Gjykata e Apelit.
Arlind Gjokutaj, u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave.