Bajram Velija, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij me 15 plumba, Armenda Aliu Velija, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Velija ka qëlluar 15 herë me armë zjarri kundrejt bashkëshortes së tij, për shkak të një mosmarrëveshjeje, në gusht të vitit 2019.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.
“Vrasësi i gruas së vet, Armenda Aliu Velija, u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata, ashtu si e kam propozuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e ka dërguar porosinë në shoqërinë tanë: tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht. Përndryshe, ky vendim i guximshëm po e kthen besimin në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Koci.
Vendimi i plotë i Gjykatës:
Gjykata ka shpallur aktgjykim dënues ndaj një (1) të akuzuar për veprat penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
Prizren, 01 Tetor 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, (kryetarja e trupit gjykues – Raima Elezi, dhe anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët Sami Gashi dhe Fidan Hoxha) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit B.V., për shkak se është fajtor.
– Dënim me BURGIM TË PËRJETSHËM
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi, në pika të shkurtra ka arsyetuar dënimin e shqiptuar duke sqaruar se në bazë të provave, mbrojtjes së të akuzuarit, dëshmive të dëshmitarëve dhe të të dëmtuarve, gjykata ka vërtetuar faktet jo kontestuese që kanë sjellur deri tek dënimi i shqiptuar.
Gjykata nuk e ka pranuar mbrojtjen e të akuzuarit se në momentin kritik i është shfaqur një katror i zi, sepse nga raporti i ekspertëve nuk është gjetur ç ‘rregullim apo ndonjë sëmundje e natyrës së shkurtër apo tronditur në momentin e kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë.
Gjatë marrjes së vendimit trupi gjykues ka vlerësuar rrethanat, dhe si rrethana rënduese ka marrë parasysh rrezikun e lartë shoqëror të veprës penale, mënyrën e sjelljes së të akuzuarit pas vrasjes së rëndë ku me gjakftohtësi e mbulon viktimën dhe pret ardhjen e Policisë, dhe intensitetin e rëndë të dhimbjes së familjes së dëmtuar.
Ora tv