
Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka është dënuar me 4 vite e 6 muaj burg për korrupsion, për marrjen e një ryshfeti prej 6 mijë euro përmes bashkëshortit të saj, për ndryshimin e vendimit ndaj një të dënuari për trafik emigrantësh.
Dënimi me burg nga Gjykata e Posaçme është konvertuar në 3 vite shpërbim prove dhe heqje e së drejtës për të ushtruar shërbime publike për 5 vjet.
Me nga 3 vite burg janë dënuar shtetasit e pandehur, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj. Ndërsa Nejton Bali u dënua me 1 vit e 2 muaj burg.
Sipas prokurorëve të SPAK ata i kanë dhënë gjyqtares një shumë prej 6 mijë euro me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, vëllait të Nejton Balit i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për kalim të paligjshëm të kufijve, ndryshim që më pas ndodhi efektivisht nga Apeli i Korçës.
Në pëfundim të seancës gjyqësore në ambientet e SPAK, ish-gjyqtarja Margjeka e ka quajtur si hakmarrje ndaj saj, duke hedhur akuza për ish-kolegët në sistemin e drejtësisë.
“Nuk u përmbys bota, unë di të bëj çdo gjë, edhe shitëse në rrugë”, tha për gazetarët ish-gjyqtarja Margjeka.
“Jurdikisht vendimin që dhashë unë, e dha gjyqtari para meje. Të shqetësosh lartmadhninë nuk ka lidhje? Si nuk ka lidhje. Vendimi i sotëm, unë jam gjyqtare e di ligjin. Këta njerëz kanë qenë të impresionuar. Nuk u përmbys bota, nuk e kam pas me pasion gjyqësorin. Për të tjerat do ia dalim! Nuk po shpëtohet asnjë, se të shpëtohej Shqipëria dënohesha unë.
Të kishin qenë të gjithë gjyqtarë si unë, me përkushtim, me të drejtën, s’do kishte fare nevojë. Ju erdhët sot sikur çfarë u bë, me thënë atë goditjen e fundit. Do punoj punë tjetër. Do shes edhe në rrugë, unë di të bëj çdo gjë”, deklaroi ish-gjyqtarja Margjeka.
Lajmi në përditësim…
