Denoncoi dhunën e uniformave blu/ Policia me njoftim zyrtar: Ka kanosur efektivët, po kryhen hetime, nëse ka shkelje të kompetencave…

0
200

Një qytetar nga Elbasani, i quajtur Amarildo Hoxha ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia e Lushnjës ndaj tij, duke e mbajtur disa orë në komisariat. Ai është tregtar fruta perimesh, ndërsa ngjarja mësohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën Fier-Lushnje. Ai po kthehej nga furnizimi me fruta perime që kishte kryer në Fier për biznesin e tij.

Ndërsa policia ka reaguar së fundmi me një njoftim zyrtar, ku thueht se personi në fjalë kishte kërcënuar me jetë efektivët e policisë dhe se po kryheshin hetime për këtë rast. Gjithashtu në njoftim sqarohet se nëse ka pasur shkelje të kompetencave nga ana e policisë, do të merren masat e nevojshme.

Njoftimi i Plotë:

DVP Fier/Sqarim

Në lidhje me pretendimet e shtetasit A. H., të bëra publike në media, ku akuzon punonjësit e Policisë Lushnjë, për dhunë të ushtruar ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:

Në kuadër të masave të marra për kapjen e autorëve të vrasjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 23.10.2021, në qytetin e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kishin ngritur pikë kontrolli në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnjë.

Rreth orës 04:40 të mëngjesit të datës 24.10.2021, kanë ndaluar mjetin me targa AA 935 CR ( me drejtues të identifikuar më pas si shtetasi A. H., 28 vjeç, banues në Drenovicë, Berat), i cili ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur për jetën efektivët e Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin forcërisht të shtetasit A. H., në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Duke qenë se edhe shërbimet e Policisë edhe shtetasi i shoqëruar kanë patur pretendimet respektive, është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e cila ka vënë në dispozicion një oficer të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, për të kryer veprimet.

Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë janë administruar kallëzimet e punonjësve të Policisë, kallëzimi i shtetasit A. H., këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasin A. H.

Në përfundim të veprimeve procedurale, oficeri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka komunikuar me Sallën e Komandimit pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë, për të komunikuar veprimet hetimore dhe hetimin e këtij personi në gjendje të lirë.

Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për të dërguar një grup pune në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me qëllim verifikimin e rastit dhe nisjen e hetimit disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të luftuar krimin dhe për t’u ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor dhe në këtë kuadër nuk do të tolerojë asnjë punonjës policie që do abuzojë me detyrën, dhe me forcën e ligjit do veprojë ndaj çdo individi që cenon ligjin apo integritetin fizik të punonjësve të Policisë.