Depozitohet në Kuvend pr/ligji, synohet zgjidhja e problemit të vakancave në Drejtorinë e Burgjeve

0
15

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka depozituar në Kuvend një projektligj, në të cilin parashikohet që marrëdhënia e punës së zëvendësdrejtorëve dhe punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve të rregullohet sipas Kodit të Punës dhe rregullores së brendshme të Drejtorisë së Burgjeve, dhe jo sipas ligjit për “Nëpunësin Civil”, siç është parashikuar në ligjin aktual.

Ligji synon zgjidhjen e problematikës së vakancave të krijuara ndër vite në institucionin e Drejtorisë së Burgjeve. Projektligji, i depozituar më 5 nëntor 2024 dhe i firmosur nga deputetja socialiste Antoneta Dhima, ka si fokus marrëdhënien e punës së punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe zv/drejtorëve të këtij institucioni.

Projektligji ka në përmbajtje 4 nene. Në nenin 1 parashikohen disa ndryshime në Nenin 26 të ligjit ekzistues, pika 4. Në ligjin aktual parashikohet se: “Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Burgjeve emërohen sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga legjislacioni për nëpunësin civil dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”. Sipas propozimit në draftligjin e depozituar në Kuvend, kjo pikë ndryshon në mënyrë të tillë: “Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Burgjeve emërohen sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë dhe rregullorja e brendshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.

Po ashtu, në draftligjin e publikuar në faqen e Kuvendit parashikohet se: “Marrëdhëniet e punës së nëpunësve dhe punonjësve mbështetës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Kriteret dhe procedurat për emërimin e nëpunësve dhe punonjësve mbështetës përcaktohen nga rregullorja e brendshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe rregulloret e brendshme të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale”.

Në pikën 6, ndryshimi është si vijon: “Niveli i pagave të nëpunësve dhe punonjësve mbështetës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 35/2023 ‘Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagesës bazë minimale në shkallë vendi’.”

Në nenin 2 të projektligjit të propozuar ka një dispozitë kalimtare: “Nëpunësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, marrëdhëniet e punës së të cilëve aktualisht rregullohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil, vijojnë marrëdhënien e tyre të punës sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës.”

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të miratojë aktet nënligjore në zbatim të nenit 1, pika 3, të këtij ligji. Në relacionin bashkangjitur projektligjit sqarohen edhe argumentet mbi të cilat mbështeten ndryshimet e propozuara:

“Duke qenë se nëpunësit e DPB dhe IEVP nuk kryejnë procedura administrative, ata nuk janë të angazhuar në aktivitete që lidhen me sigurimin e ekzekutimit të procedurave administrative dhe ofrimin e mbështetjes administrative për zbatimin e tyre. Përkundrazi, veprimtaria e tyre është e lidhur drejtpërdrejt me ekzekutimin e vendimeve penale.

Misioni i DPB është i ndryshëm nga ai i institucioneve, ku nëpunësit e të cilëve gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Garantimi i të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, si dhe rehabilitimi social dhe ri integrimi i të dënuarve, lidhet me karakteristikat e shërbimeve publike të ofruara për qytetarët, siç janë arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, arti dhe ndihma sociale. Pikërisht, shërbimet që ofrojnë DPB dhe IEVP bien nën kategorinë e shërbimeve shoqërore, dhe për këtë arsye dalja e tyre nga shërbimi civil bazohet në ofrimin e shërbimeve si njësi publike direkte.”

Në lidhje me vakancat, DPB dhe IEVP kanë gjithsej 1127 pozita pune, ku nëpunësit ushtrojnë detyrat sipas ligjit për nëpunësin civil. Nga këto, 142 pozita janë në DPB, që ndahen në 124 nëpunës civil, 17 mbështetës dhe 1 titullar. Momentalisht, në DPB ka 20 vende vakante për stafin civil, që përbëjnë rreth 14% të totalit të stafit. Ndërsa në IEVP, prej 985 pozita, 603 janë nëpunës civil dhe 381 mbështetës. Aktualisht, janë 54 vende vakant, që përbëjnë rreth 5% të stafit civil në IEVP.

Nga ana tjetër, sillet në vëmendje se një ndër qëllimet e përfshirjes së DP dhe IEVP në listën e institucioneve, marrëdhenia e punës së nëpunësve të të cilëve rregullohen nga ligji për nëpunësin civil, ishte edhe krijimi i një shërbimi të qëndrueshme, që ruan dhe zhvillon kapacitetet e nëpunësve që rekrutohen. Siç dihet në realitetin shqiptar, rregullimi i marrëdhënies së punës nga ligji për nëpunësin civil shihet si një incentivë dhe nxitje për t’u bërë pjesë e administratës publike dhe për të dhënë kontributin në mënyrë të vazhdueshme.

Megjithatë, lexohet në relacion, gjatë zbatimit të ligjit u provua se ky mjet nuk solli efektet e dëshiruara pasi jo vetëm që vakancat nuk u plotësuan, por me kalimin e kohës edhe ata nëpunës që u bënë pjesë e DPB dhe IEVP janë larguar ose kanë ndryshuar institucionet ku punësohen.  Një gjë e tillë ka sjellë efekte jo pozitive edhe për shkak të ndjeshmërise që ka ky institucion në sistemin e drejtësisë, si një ndër hallkat kryesore për realizimin e politikës parandaluese, riintegrimin e të dënuarve në shoqëri, si dhe zbatimin e të drejtave të të burgosurve dhe të të paraburgosurve.

Në relacion janë sjell dhe shembuj të institucioneve të tjera. Raste të tilla hasen edhe në institucione të tjera të Republikës se Shqipërisë si nëpunësit e Shërbimit të Provës përmes ndryshimeve të kryera me ligjin nr. 90/2024, nëpunësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përmes; Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare. Nga ana tjetër, edhe procedura e rekrutimit të një nëpunësi civil kërkon një kohë mjaft te gjate dhe nuk garanton shpejtësi në zëvendësimin e nëpunësve të larguar në një periudhë të shkurtër.

Nga ana tjetër, edhe rekrutimi i nëpunësve të rinj të DPB dhe IEVP do të bëhet duke u bazuar në disa kritere të qarta dhe një procedure të mirë rregulluar e cila do të parashikohet në rregulloren e brendshme të DPB dhe rregulloret e brendshme të IEVP.

Sa i përket rregullimit te marrëdhënies se punës për nëpunësit e DPB dhe IEVP marrëdhënia e punës se te cilëve është rregulluar aktualisht sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, është parashikuar një dispozite kalimtare, e ngjashme me atë që është parashikuar ne ligjin nr. 90/2024, për nëpunësit e Shërbimit të Provës.

Konkretisht, ne nenin 2 te projektligjit parashikohet se nëpunësit e Drejtorisë se Përgjithshme te Burgjeve dhe te institucioneve te ekzekutimit te vendimeve penale, marrëdhëniet e punës së të cilëve aktualisht rregullohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil, vijojnë marrëdhënien e tyre te punës sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës. Ne këtë mënyrë garantohet me ligj vazhdimësia e punës së nëpunësve aktuale te DPB dhe IEVP.

Përfundimisht, ndryshimi i regjimit të marrëdhënies së punës për këta nëpunës do të ndihmojë në plotësimin më të shpejtë të vakancave, duke rritur efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, si dhe duke kontribuar në përmirësimin e kushteve dhe trajtimin e personave të dënuar dhe të paraburgosur. Kjo masë ka për qëllim krijimin e një shërbimi më të qëndrueshëm dhe rritjen e motivimit të personelit për të kontribuar në administratën publike.