Deputetët e opozitës dëgjuan një ditë më parë me vendimin për përjashtim me disa javë nga Kuvendi për shkak të incidenteve në seancën e kaluar plenare, por duket se refuzojnë ta njohin këtë dënim.
Edhe dyert e tjera janë mbyllur me dryn. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një deklaratë për mediat, reagoi ashpër për mbylljen e dyerve të Kuvendit. “Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e largqoftit. Ky është regjimi. Ne s’duam të ndalojmë askënd të hyjë, ne duam të hyjmë vetë. Ja dryn. Ja imazhi i parlamentit të narkoregjimit”, u shpreh Noka.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, nuk përjashtoi mundësinë e ngujimit në sallën e parlamentit. “Çdo mundësi që na hap rrugë ndërgjegja për t’i shërbyer këtij vendi, ne do ta shfrytëzojmë”, tha ai.
Në këto rrethana, edhe seanca e sotme plenare pritet të shoqërohet me tensione.
Sekretariati i Etikës përjashtoi Flamur Nokën, Gazment Bardhin dhe Bledjon Nallbatin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Edi Palokën me 10 ditë. Ndërkohë 20 deputetët e tjerë u përjashtuan me 40 ditë.
Vendimi erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të PS për marrjen e masës disiplinore për 24 deputetë të PD, pas kaosit të shkaktuar në Kuvend ditën e hënë, dhe djegien e karrigeve.