Deputetët përlanë 1 miliard lekë gjatë 2024-ës, futën në xhep miliona për pagat, dietat, telefonat dhe karburantin e makinës

0
2
  • Kuvendi ka marrë fonde shtesë nga buxheti, kjo pasi deputetët i kanë ezauruar paratë…

Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, kanë përfituar plot 1 miliardë lekë të reja nga buxheti i shtetit gjatë vitit që lamë pas. Edhe pse shahen, rrihen, fyhen dhe u vënë zjarrin karrigeve, kur vjen puna te paratë, të gjithë bëhen të devotshëm dhe askush nuk i refuzon.

Kuvendi ka nxjerrë të dhënat për pagat dhe përfitimet e deputetëve për të gjithë vitin që lamë pas. Sipas statistikave të përpunuara nga “Pamfleti”. Vetëm për pagat e ligjvënësve janë harxhuar 343,803,027 lekë. Ndërsa për bonuset, ku futen dieta, rimbursim celulari, pagesa hotelesh, qeraje, etj, janë shpenzuar nga janari deri në nëntor 221,971,482 lekë. (Muaji dhjetor ende nuk është pasqyruar). Në total deputetët kanë përlarë gjatë vitit 2024 plot 1,009,717,473 lekë të reja.

Çdokush mund të thotë se ja u njeh ligji. Por skandali është se në gusht të vitit që lamë pas, Kuvendi ka marrë fonde shtesë nga buxheti, kjo pasi deputetët i kanë ezauruar paratë. Ministria e Financave ka alokuar 90 milionë lekë fonde shtesë, kjo pasi deputetët kanë udhëtuar shumë jashtë dhe kanë marrë përfitime dietash.

Janë planifikuar 57 milion lekë për gjithë vitin 2024, ndërsa në 8-mujor rezultojnë të shpenzuara 40 milion, ose 70% e planit vjetor në këtë zë. Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milion shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shtetit, për udhëtimin gjithsej të 339 persona, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ. Për këto udhëtime janë shpenzuar 7 milion lekë dieta, 17 milion lekë bileta dhe 16 milion lekë hotel e të tjera (si taksi, përkthim, marrje me qira auto veturë, fee pjesëmarrje)”, thuhet në dokument.

Kjo e shpjegon dhe luftën që bëhet për të siguruar një mandat deputeti. Nëse bëjmë një llogari te thjeshtë, secili deputet përfiton mesatarisht 72 milionë lekë të vjetra në vit ose më saktë, afro 6 mln lekë në muaj. /Pamfleti