Gjatë një daljeje në emisionin “Dekalog”, avokatja Alesia Balliu ngriti një shqetësim të drejtpërdrejtë për mënyrën se si Partia Demokratike përzgjodhi kandidatët në zgjedhjet e fundit, duke sjellë në vëmendje një rast konkret nga Elbasani.
Balliu përmendi emrin e deputetit Blendi Himçi, i cili sipas saj u fut në listën e mbyllur thjesht për shkak se ishte kryetar i degës së PD në Elbasan, pa pasur një përfaqësim real në komunitetin që ai vetë përfaqëson.
“Po të shohësh rezultatin në lagjen Luigj Gurakuqi, pranë Teatrit ‘Skampa’, Beldi Himçi ka dalë me 10 vota minus. Ky është një sinjal alarmi. Si mund të vendosësh si deputet një njeri që nuk e voton as lagjja e tij?”, u shpreh Balliu.
Sipas saj, ky nuk është një problem vetëm i degës së Elbasanit, por një fenomen kombëtar që kërkon reflektim të thellë nga strukturat e PD-së në çdo qytet.
“Është momenti që analiza të mos bëhet në studio televizive, por brenda strukturave të partisë. Nuk mund të mbash më me zor emra që nuk gëzojnë besimin e komunitetit të tyre”, përfundoi Balliu.
Ky reagim vjen në një kohë kur brenda Partisë Demokratike ka nisur një proces riorganizimi dhe analiza pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit, ku përzgjedhja e kandidatëve është vënë në qendër të kritikave./ Tema