Gjykata e Minneapolis në shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dënuar me 22 vite e gjashtë muaj burg ish-policin Derek Chauvin për vrasjen e George Floydit.
Derek Chauvin u shpall fajtor me 20 prill të këtij viti, teksa të premten trupi gjykues vendosi edhe dënimin ndaj tij.
Gjykatësi, Peter Cahill, vendosi se kishte “rrethana rënduese” për vrasjen e Floydit, duke i dhënë atij të drejtën për të dënuar Chauvin me një afat më të gjatë se sa që është përcaktuar me udhëzimet e rregullta të shtetit.
Në Minesota, dënimi mesatar për një rast të ngjashëm si ai i ish oficerit Chauvin, është 12 vjet e 6 muaj burg
Gjykatësi, Peter Cahill, tha se dënimi pasqyron “mizorinë” e vrasjes, duke shtuar se “Dhimbja është ndjerë në të gjithë vendin, por më e rëndësishmja është që duhet ta njohim dhimbjen e familjes Floyd”, tha ai.
Para shpalljes së dënimit, ish-oficeri i policisë, Derek Chauvin ofroi “ngushëllimet” e tij familjes së George Floyd.
Ngjarja tragjike e 25 majit të 2020-s nxiti protesta kundër racizmit dhe dhunës policore në një mori qytetesh në Shtetet e Bashkuara, si dhe ka shtyrë përpara përpjekjet për reforma policore në nivel kombëtar.
Presidenti amerikan, Joe Biden, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se dënimi “duket të jetë i duhuri”, por shtoi se nuk i dinte hollësitë.