Dërgohet për ekspertizë arma automatike që u gjet e fshehur në kotecin e pulave të shtëpisë së Xhemal Lokës
I arrestuar për shkaktim të vetëvrasjes së bashkëshortes dhe armëmbajtje pa leje, Xhemal Loka deklaroi se nuk ka pasur dijeni për armë në territorin e banesës së tij. Të hënën edhe e ëma e tij dhe dy familjarë të tjerë të Lokës, që ishin pranë gjykatës së Durrësit, gjithashtu pretenduan se arma automatike dhe fishekët që u gjetën nuk i përkasin 45-vjeçarit, por mund të jenë vendosur aty për ta rënduar më tej pozitën e tij, duke aluduar se mund të kenë qenë vëllezërit e Bedrie Lokës që e kanë vënë armën atje.
“Po të ishte në dijeni, ne do ta kishim hequr”, u shpreh Sanije Loka, pas vendimit të gjykatës arrest me burg për të birin. Tashmë, arma është dërguar për t’iu nënshtruar ekspertimit daktiloskopik për gjetjen e gjurmëve të gishtërinjve në të. Gjetja e shenjave mbi armë dhe krëhërin e fishekëve mund të ndihmojë më tej hetimet dhe akuzën e ngritur ndaj Xhemal Lokës edhe për armëmbajtje pa leje.
Shenjat e gishtave konsiderohen mjaft të rëndësishme përsa i përket zbulimit të veprave penale. Ndërkohë dëshmitë e fëmijëve dhe familjarëve të Bedrie Lokës, si dhe videot e mesazhet e gjetura në telefonat celularë të sekuestruar nga policia janë prova që dëshmojnë për keqtrajtimin sistematik të 41-vjeçares që humbi jetën pas konsumimit të një sasi lënde helmuese të llojit fostoksinë më 2 janar të këtij viti. Familjarët e Lokës deklaruan se do të kallëzojnë në polici, vendosjen e armës në kotec për të inkriminuar Xhemal Lokën, po burime nga Drejtoria Vendore e Policisë bëjnë me dije se nuk ka pasur asnjë denoncim në lidhje me këtë pretendim nga ana e tyre.
Loka, baba i katër fëmijëve, dy prej të cilëve të mitur, u arrestua më 6 janar, 4 ditë pas ngjarjes së rëndë, për shkaktim të vetëvrasjes së gruas 41-vjeçare, nënës së fëmijëve të tij, si dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Top Channel