Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, i ka dalë hapur në mbrojtje Kylian Mbappesë pas kritikave të fundit që e cilësojnë sulmuesin si egoist në lojë.
Numri një i pankinës së “Les Bleus” ka theksuar se perceptimi nga jashtë nuk përputhet aspak me realitetin brenda grupit.
Deschamps ka insistuar se ylli i Real Madridit është një shembull i madh për brezin e ri dhe një lider i padiskutueshëm në përfaqësuese.
Sipas tij, Mbappe nuk është thjesht golashënues, por një figurë që merr përgjegjësi dhe udhëheq skuadrën në momentet kyçe.
“Kylian, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, adhurohet nga lojtarët e rinj. Ekziston ky imazh i tij si një lojtar egoist dhe individualist. Është e vërtetë që një sulmues duhet të ketë edhe egoizëm sportiv, por mund t’ju siguroj se brenda ekipit kombëtar ai sillet si një kapiten i vërtetë”, ka deklaruar Deschamps.
Mbappe po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe, sipas shumë vëzhguesve, ndodhet një nivel më lart se shumica e sulmuesve elitarë në Evropë.
Shpejtësia, instinkti për gol dhe vendimmarrja e tij po bëjnë diferencën edhe në kampionatin spanjoll.
Objektivi i radhës për Mbappén mbetet përkthimi i kësaj forme në sukses me Kombëtaren franceze, me fokus të veçantë Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Franca synon të jetë sërish protagoniste, ndërsa roli i Mbappe shihet si vendimtar për ambiciet e “gjelave”.


