Nga Arbër Hitaj!
U bënë disa ditë që Shqipëria, sidomos zonat e Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Vlorës, Fierit e Gjirokastrës, po përballen me rreshje të dendura shiu e përmbytje. Kaos e dëme të shumta ekonomike dhe psikosociale te qindra familje. Në një situatë që do të duhej të flisnin ekspertët, ata që po flasin më shumë janë politikanët ose njerëz që kanë pak ose aspak lidhje me situatën.
Le t’i marrim me radhë, pushteti lokal, një dështim i madh! Ndoshta për herë të parë në historinë e saj, qyteti malor, e përsëris, malor i Gjirokastrës pati përmbytje të një niveli të pandodhur më parë. Pjesa më e përmbytur e qytetit ishte, sipas të dhënave, 100-200 metra mbi lumin Drino, rreziku i përhershëm për të përmbytur pjesën hyrëse të qytetit. Shkurt dhe thjesht, një problem i bashkisë që ka emër, administratori i qytetit, kreu i bashkisë Flamur Golemi, dhe politikisht e deleguara Mirela Kumbaro, e cila përveç lajmërimeve mediokre për moslëvizje të qytetarëve, fshihet si struci.
Por, nëse qyteti mbushet me turistë, mund të ketë 100 dalje për mediat. Aty puna duhej të ishte e ndarë në pastrimin e 2 përrenjve kryesor dhe kolektorit që kalon në mes të pjesës fushore të qytetit, pse nuk janë bërë. Heshtje, por dëmi është miliona leke!
Shkojmë më tej, qarku i Fierit, situatë normale kjo e pasuar me një angazhim të drejtuesve lokalë prej muajsh. Asgjë për tu veçuar përveç një bashkie që bën punën. Grykëderdhja e Vjosës, një zonë e mbushur me ndërtime përreth që nuk mund t’i shpëtojë daljes së ujit nga shtrati, proces normal në një stinë rreshjesh të tilla. Por problemi i vërtetë do të jetë qyteti i Vlorës, me një kryebashkiake që premton meme të sigurta!
Ndalemi në Durrës, një kaos i paparë i dy ditëve të para, shkaktuar nga një paaftësi e madhe e kryetares së bashkisë, Emirjana Sako dhe stafit të saj. Është ndër kryetaret e vetme që, përveçse ka një repertor fjalish me maksimumi 15 fjalë, flet e nuk thotë asgjë, e mbi të gjitha duke bërë shumë pak. Madje, së fundmi, bashkia ka hyrë në një debat idiot, a ishte në orar pune një punonjës i pastrim-gjelbërimit, 54-vjeçari Astrit Hysenaj, që humbi jetën nga përmbytjet?
E si mundet një e zgjedhur të jetë kaq e ftohtë me një jetë të humbur, duke u ndalur te një detaj pa asnjë pikë rëndësie? Durrësi është ndër bashkitë që ka pasur shumë skandale në drejtimin e saj se çdo kush tjetër.
Qershia mbi tortë vjen nga Ministria e Bujqësisë dhe ministri i ri Andis Salla, që më shumë flet për evakuime sesa për punën e bordeve të kullimit. Zero fjalë nëse është bërë punë apo jo, apo nëse u morën masat 3 muaj më parë. Ka shumë elementë ku mund të ndalesh që tregojnë se ka një lëvizje të pushtetit lokal dhe qendror pas problemeve me përmbytjet, por pak ose aspak për të treguar se kanë bërë diçka për të parandaluar gjendjen aktuale.
E cila në përmasa mund të ishte shumë më e ulët nëse këto bashki dhe ministri do angazhoheshin pak më shumë.
Dëshpërblimi!? Parimisht po por përse duhet që qytetarët e Shkodrës të paguajnë taksa për paaftësinë e një kryetari bashkie në Gjirokastër apo në Durrës, dhe këta të mos marrin asnjë përgjegjësi? Në aspektin politik, mendoj që duhet ndërhyrja edhe e opozitës. Nëse kërkohen zgjedhje të parakohshme, ato duhet të jenë në bashki fillimisht, ku pushteti lokal ka dështuar. Madje, kthimi i këtij problemi në politikë kombëtare më shumë sesa lokale, e dëmton zgjidhjen e situatave katastrofale që mund të vijnë në të ardhmen.
#Përmbytje #Aktualitet #Tiranë #Durrës #Gjirokastër #Vlorë #Fier #Përgjegjësi #Krizë #Politikë #opozita
#PushtetiLokal #BashkiaDurrës #BashkiaGjirokastër #StopPaaftësisë #TaksaTonë #Infrastruktura #KreuIBashkisë #Llogaridhënie
#Opinion #Reagim #ShqipëriaNënUjë #DemokraciLOKALE #ZgjedhjeTëParakohshme #QytetarëtEParët


