Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore fton turistët ta vizitojnë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një video me pamjet mahnitëse të kësaj kalaje, që ndryshe nga të gjitha kalatë e tjera, veçantinë e saj e ka së është ndërtuar në fushë.
“Kalaja e vetme në Ballkan në fushë. Me bukuritë natyrore dhe vlerat historike, ju pret ta vizitoni dhe shijoni”, shprehet ministri Klosi.
Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.
Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.atsh