Policia e Durrësit dha detaje të reja lidhur me aksionin e djeshëm policor i cili çoi në arrestimin e një ish kryeinspektori të IMT në qytetin bregdetar.
Sipas komunikimit zyrtar të policisë, ky shtetas u kap duke kreyer ndërtime pa leje në rezidencën e tij në Kepin e Rodonit. Ndërtimet pa lejen në “Sent Michele Rezidencë”përfshijnë 11 kabina tip garsionere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m².
Ky shtetas ka shpërdoruar detyrën duke ndërtuar pa leje këto objekte gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
Ndaj ish kryeinspektorit të IMT rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Policia e Shtetit shpreh gadishmërinë e plotë dhe ashpërsimin e kontrolleve ndaj çdo punonjës institucional që shkel ligjin apo përdor pozitën e tij duke konsumuar vepër penale.