Detaje nga dhunimi i vajzës në Vlorë: E fejuan pa dëshirë, burri dyshonte se takohej me të tjerë!

0
70

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e ndodhur në Vlorë që raportuam pak më parë, ku 3 burrat e familjes bënë për spital vajzën 29 vjeçare pas një konflikti për motive të dobëta.

Burime për media bëjnë me dije se zënka në familje ka nisur për shkak të xhelozisë së të fejuarit të së resë, 34 vjeçarit Armandi Janka pasi ai dyshonte se 29 vjeçarja dilte natën me persona të tjerë.

Gjithashtu, palë të tjera shprehen se e reja ishte fejuar pa dëshirën e saj dhe një tjetër shkak për nisjen e konfliktit ka qenë refuzimi për të nisur bashkëjetesë me Armandi Janka.

Siç duket, diçka e tillë nuk është pranuar nga dy familjarët e saj, babai Astrit Bajrami dhe i vëllai, Erlind Bajrami, si dhe i fejuari, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj së resë me qëllimin që ajo të hiqte dorë nga kundërshtimi.

Më herët, Newsbomb raportoi se si pasojë e plagëve të marra, 29 vjeçarja është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa bëhet me dije se ajo është jashtë rrezikut për jetën.

Për këtë ngjarje janë arrestuar 3 autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj të resë, shtetasit Astrit Bajrami, 60 vjeç (babai), Erlind Bajrami, 26 vjeç (vëllai) dhe Armandi Janka 34 vjeç (i fejuari).

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e të atit të vajzës së dhunuar është gjetur edhe një armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, të cilat janë sekuestruar nga uniformat blu.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.