DETAJE/ Nga trafiku i drogës në BE tek pengmarrja në Vlorë, si u zbulua vendi ku mbahej peng shqiptari nga Kosova

0
2

 Detaje të reja dalin në pah për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shqiptarit nga Kosova. Tre personat nga Vlora, të cilët e mbajtën peng janë njohur me shqiptarin nga Kosova në një vend të Bashkimit Europian.

Gjatë kësaj njohjeje kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Shqiptari nga Kosova i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-s, vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as nga telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion.

Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve.

Për këtë arsye, këta të fundit kanë marrë peng shqiptarin e Kosovës, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për mallin.

Motra e shqiptarit, që jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen ka kontaktuar Interpolin. Pas kësaj, Interpoli njoftoi Policinë e Vlorës, e cila, duke përdorur vendndodhjen e dërguar nga motra, arriti të arrestojë tre personat brenda 15 minutash.

Shqiptari kishte plagë të lehta në trup dha më pas iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së.

Nga policia e Vlorës konfirmohet se shqiptari nga Kosova kishte dalë garant për një ngarkesë lënde narkotike drejt një vendi europian me vlerë 70 mijë euro./abcnews.al