Detaje të reja nga plagosja në Durrës, shkak dyshohet të jetë një borxh mes autorëve

0
62

Ngjarja e djeshme në Durrës ku mbeti i plagosur një 70-vjeçar, dyshohet se ka si pikënisje një borxh mes autorëve të përfshirë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë më dije se 31-vjeçari ka patur një marrëdhënie pune me djalin e të plagosurit, i cili nuk ka shlyer pagesat ndaj autorit të dyshuar.

Pasi nuk ka arritur ta zgjidhë problemin e pagesës me djalin e 70-vjecarit, pasditen e së enjtes, Adil Hizdari ka shkuar te takonte Fadil Hundën. Ky i fundit nuk e ka pritur mirë dhe ka refuzuar t’i jepte paratë që pretendonte 31-vjeçari.

Në këtë moment janë nxehur gjakrat dhe pas një debati të ashpër verbal e më pas fizik, 31-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar tre herë të moshuarin.

Mësohet se 70-vjeçari ka marrë dy plagë në pjesën e bustit, por për fatin e tij të mirë plumbat nuk i kanë prekur organet jetike.

Ai ndodhet ne spitalin e Durrësit nën kujdes intensiv mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga autorin 31-vjeçar, Adil Hizdari, i cili ka deklaruar se këtë akt e ndërmori pasi familja Hunda që e kishte të punësuar nuk pranonte t’i jepte të gjitha paratë që kishin rënë dakord për kryerjen e punës. 31-vjeçari punonte si shofer transporti.

A2