Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i sotëm (4 tetor) në qytetin e Elbasanit ku mbeti i vrarë Lulzim Bitri dhe u plagos rëndë Ardjan Çollaku.
Burime bëjnë me dije se Bitri dhe Çollaku dyshohet se kanë qenë duke pirë kafe dhe autorët i kanë pritur sa janë ngritur dhe i kanë qëlluar.
Sipas dëshmitarëve personat kanë qenë të veshur me rroba të zeza dhe njëri prej tyre kishte kapuç.
Burime bëjnë me dije se në makinën me të cilën u krye atentati i sotëm në qytetin e Elbasanit ndodheshin të paktën 3 persona.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në lagjen “28 nëntori” pranë një karburanti. Sipas dëshmive në vendngjarje, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Më pas një automjet tip “Volvo” është gjendur i djegur në fshatin Balldre.
Lulzim Bittri ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Ardjan Çollaku u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë.
Kush është Ardian Çollaku
Çollaku është hetuar për vrasjen e Everest Çakajt ku policia e Elbasanit ka dyshuar se ka pasur lidhje direkte me vrasjen. Everest Çaka u vra mbrëmjen e 11 majit në një atentat mafioz në sy të bashkëshortes së tij, e cila gjithashtu mbeti e plagosur.
Nga hetimet ka rezultuar se Çollaku ka probleme me drejtësisë italiane ku ka qenë i dënuar.
Sipas informacioneve Çollaku vidhte automjete në shtetin fqinj dhe më pas i sillte në vendin tonë, ku merreshin nga persona për t’u përdorur në aktivitete të ndryshme kriminale.
Dyshohet gjithashtu se ai ka bashkëpunuar edhe me grupin e Dubait ku ka bërë pjesë edhe Erjon Alibeaj, vëllai i Endrit Alibeaj që mbeti i vdekur në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018. Deri më tani rezulton se janë persona që kanë lidhje edhe me të shumëkërkuarin e Elbasanit Talo Çela.
Kush është Lulzim Bitri
Gazetarja Edisona Skënderi raportoi se Lulzim Bitri, 35 vjeç i cili ndërroi jetë nga plagët e marra është përfshirë në një ngjarjeje kriminale në prill 2018, ku në Maqedoninë e Veriut ka mbetur i vrarë një shqiptar atje.
Dyshohet se ky atentat mafioz është i lidhur me biznesin e paligjshëm që këta persona kanë pasur lidhur me trafikun e lëndëve narkotike nga Turqia.
Hoteli i cili ndodhet pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë ka kamera sigurie dhe pamjet filmike janë marrë nga policia dhe po hetohen, ndërsa janë ngritur pika të shumta kontrolli për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.