DETAJE TË REJA/ Vrasja e biznesmenit në Elbasan, dy të ndaluar, një tjetër shpallet në kërkim

0
2

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja kriminale që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Elbasan ku u qëllua me armë zjarri për vdekje biznesmeni 43-vjeçar Edmond Hyka.

Policia dhe Prokuroria e Elbasanit kanë ndaluar dy persona dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si autorë ose bashkëpunëtorë në vrasjen e tij.

Burimet bëjnë me dije se kamerat e sekuestruara mund të sjellin dritë mbi identifikimin e autorëve.

Makina e djegur tip “Audi” u gjet në afërsi të fshatit Mirakë, të Librazhdit, ndërsa brenda saj u gjet e djegur edhe pistoleta tip “Berett”, me të cilën dyshohet se u qëllua për vdekje Edmond Hyka.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (30 nëntor) në Elbasan, ku 43-vjeçari Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover, kur një makinë Audi e zezë iu afrua, duke qëlluar drejt tij.

Dy plumba në kokë rezultuan fatalë për biznesmenin, i cili humbi jetën në vendngjarje. Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa po analizohen pamjet filmike të zonës dhe po mblidhen prova të tjera materiale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Hetimet po zhvillohen në disa pista paralelisht, ndërsa në terren vijon operacioni policor për kapjen e autorëve.