Detajet: Nga aksidenti në Kroaci 10 persona kanë humbur jetën, 44 kanë marrë trajtim mjekësor dhe 15 janë me lëndime të rënda

0
155

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës(MPJD), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nga komunikimi me autoritetet kroate dhe nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, , 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

“MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike. Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD-ja ka shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve.

“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve. Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, thuhet në njoftim.

Top Channel