Shqipëri, Kosovë, Serbi, Turqi, SHBA, etj.: Kush do të vijë në Gjermani nga një vend që ndodhet në listën me 130 vende të konsideruara si zona rreziku duhet të testohet për Coronën. Detyrimi hyn në fuqi javën e ardhshme.
Kush duhet të testohet?
Testet e Coronës do jenë të detyrueshëm për të gjithë ata, që duan të hyjnë në Gjerman nga një zonë e konsideruar si zonë rreziku për Coronën. Detyrimi për testim hyn në fuqi javën e ardhshme. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn e refuzoi një detyrim për testim për të gjithë të kthyerit nga pushimet. Testi i Coronës është “një ndërhyrje në personalitet” dhe duhet të justifikohet, ka thënë politikani i CDU-së në disa intervista televizive.
Por nga ana tjetër rezultatet e testeve vullnetare në aeroportin e Frankfurtit tregojnë, se 80% e të testuarve pozitivisht me virusin e Coronës nuk kanë ardhur nga zonat e rrezikut. Bazën ligjore për testet e detyruara e jep ligji për mbrojtjen nga infeksionet. Paragrafi 5 u ndryshua për raste të jashtëzakonshme si në rastin e pandemisë së Coronës. Me këtë federata mund ta bëjë të detyruar kontrollin mjekësor për udhëtarët nga zonat e rrezikuara – për përcaktimin dhe ndalimin e sjelljes së një sëmundjeje të transmentueshme të rrezikshme.
Për të kthyerit nga zonat e rrezikuara që tani ekziston një detyrim 14 ditor karantine, përjashto këtu ata kanë një test negativ të Coronës.
Cilat vende janë zona të rrezikuara?
Rreth 130 vende ka listuar si zona rreziku Instituti Robert Koch: Nga Afganistani deri në Republikën Afrikano-Qendrore. Nga Bashkimi Europian llogaritet tani Luksemburgu. Jashtë BE në këtë listë ndodhen, SHBA, Rusia, Turqia, Izraeli, Maroku, por edhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Se cili vend kategorizohet si zonë rreziku e vendosin disa ministri federale: ajo e Shëndetësisë, e Jashtme dhe e Punëve të Brendshme. Kriteri më i rëndësishëm: numri i të infektuarve të rinj brenda shtatë ditëve të fundit: Nëse ky numër kalon 50 vetë në 100.000 banorë, atëherë vendi shpallet zonë rreziku.
Në këtë vendim merret në konsideratë edhe nëse bëhet fjalë për vatra të kufizuara të pandemisë apo në sipërfaqe të gjerë, sa të larta janë kapacitetet e testimit dhe se çfarë bën shteti për të zbutur pandeminë. Aktualisht po shikohet, nëse krahas shteteve si zona rreziku të deklarohen të tilla edhe rajone të veçanta. Ministria e Jashtme gjermane aktualisht për shembull nuk i rekomandon udhëtimet në zona të veriut spanjoll si Katalonja, Aragon dhe Navarra, pa e shpallur Spanjën si zonë rreziku.
Si kryhen testet?
Këtu ka ende shumë pika të pasqaruara. Ajo që është e përcaktuar: Në aeroporte dhe porte duhet të ngrihen qendra testimi për të kthyerit nga pushimet në zona rreziku. Pas mbërritjes, qytetarët marrin informacion nga policia federale për këtë. Kush duhet të testohet kuptohet nga policia përmes një karte të mbërritjes, ku udhëtarët kanë shkruar të dhënat personale dhe informacionin për vendin nga vijnë.
Si kryhet konkretisht testimi, kjo është kompetencë e landeve. Që tani ka qendra testimi në aeroportet e Frankfurtit, Köln-Bonnit, Dortmundit, Münster/Osnabrück, Leipzig/Halle, Nürnberg, München. Berlini pritet së shpejti të ketë një qendër të tillë.
Në testet deri tani vullnetare, merren të dhënat personale në qendër dhe numri i telefonit. Rezultatet e testimit personat i marrin më së herëti 24 orë më pas përmes një app-i. Deri sa të bëhen të ditura rezultatet, personat duhet të futen në karantinë, Nëse rezultati është negativ, detyrimi i karantinës bie.
Kryesisht zona rreziku janë vende jashtë Europës në listën e Institutit Robert Koch, prandaj testet bëhen në aeroport apo porte. Ministri i Shëndetësisë, Spahn tha, se ka raste infektimi edhe tek personat që udhëtojnë me makinë apo tren. Në rastin e Luksemburgut është një vend fqinjë i Gjermanisë si zonë rreziku. Por se si do të testohen personat që hyjnë nga këto vend nuk dihet ende.
Kush i paguan testet?
Për udhëtarët nga zonat e rrezikut, testet do duhet të jenë pa pagesë. Federata dhe landet ranë dakord që të mundësohen teste pa pagesë në aeroporte. Me sukses: Që nga njoftimi, se “testet janë pa pagesë, kanë ardhur më shumë persona të testohen”, thotë një punonjës i qendrës së testimit për DW. Por ka edhe kritika për planet për të marrë përsipër shpenzimet e testeve.
Por ministri i Shëndetësisë të landit Renani-Veriore-Vestfali, Karl-Josef Laumann dëshiron t’ua kalojë personave të prekur shpenzimet: “Kush udhëton në një zonë rreziku, duhet të dijë, se çfarë bën, dhe të jetë i vetëdijshëm për pasojat”, tha ai. Edhe partia liberale, FDP është e mendimit që udhëtarët që kanë qenë për pushime në zonat e rrezikuara t’i paguajnë vetë testet e Coronës./DW/