Dhuna në familje po njeh një qasje të re vitet e fundit. Në Elbasan, shumica e denoncimeve vijnë nga prindër, të dhunuar nga fëmijët. Përfaqësuesit ligjor pohojnë se dy janë arsyet më të shpeshta konfliktet për pronën dhe varësia ndaj lëndëve narkotike. “Në të 11 raste të regjistruara rezulton se dhunues kanë qenë djemtë. Rastet janë shënuar të gjitha në Bashkinë Elbasan dhe Cërrik”, -thotë Markelian Jançe, avokat. Pavarësisht denoncimeve fenomeni është më i përhapur sesa shifrat zyrtare, pasi prindërit ngurojnë ti denoncojnë fëmijët e tyre dhunues.
“Në gjykatën e Elbasanit ka pas disa raste specifike të dhunës së fëmijëve ndaj prindërve. Shkaqet dhe arsyet janë nga më të ndryshmet, ato të cekura nga zyra jonë janë raste të cilat kanë nisur për shkak të problemeve sociale, ekonomike. Si dhe problemeve me pronësinë që vetë familja ka ndërmjet tyre, nuk përjashtohen dhe rastet e përdorimit të narkotikëve”, -shprehet ai.
Psikologia e gjykatës së shkallës së parë Elbasan, Eriona Hoxha, e cila ka asistuar nga afër seancat gjyqësore thotë se rastet janë shtuar pas pandemisë. “Po, janë shtuar këto raste, sidomos në këtë tre vjeçar të themi pas pandemisë. Në numër më të madh janë meshkujt ata që janë dhunues përkundrejt prindërve të tyre, pra ushtrues të dhunës. Dhe për ketë edhe janë dënuar ashtu siç ligji i parashikon. Është një problem në rritje sepse mendoj që është derivat i problematikave të tjera që këta të rinj kanë në jetën e tyre, siç mund të jetë abuzimi me substancat dhe ndonjëherë edhe paktet e pronësisë”, -thotë psikologia.
Për psikologët, ky fenomen shqetësues i dhunës së fëmijëve ndaj prindërve tregon se shoqëria shqiptare është në krizë.