Dhuna online trondit të rinjtë/ Adoleshentët përballen me denigrim, kërcënime e gjuhë urrejtje në rrjete sociale

0
3

Denigrimi dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale është kthyer në shqetësimin e  shumë të rinjve në vend. Raportimet për incidente online, kërkesat për fshirje të fotove apo mbyllja e adresave të rreme pranë qendrës për internet të sigurt janë shtuar.

Vajzat janë viktimat më të mëdha të dhunës në mjedisin online. Ndryshe nga më herët   më shumë raportime janë bërë nga mosha   19 deri  24 vjeç ndjekur nga ajo 25 deri 35 vjeç.

“Hakmarrje të vogla, presione që duan të bëjnë të rriturit apo të rinjtë mes njëri tjetrit  nxiten dhe në mjedisin online.  Vijnë fillimisht mes mesazheve individuale, kontakteve. Nuk vjen nga hiçi, pa qëllim, pa asnjë kërcënim që mund të ketë ndodhur në biseda individuale. Më shumë se 615 persona  kanë raportuar vetëm gjatë 2025. Nëse do ti marrim me link apo  url janë 1950 url të raportuara te platforma jonë që kanë pasur një ose disa forma të dhunës online, në rrjetet sociale kryesisht.   Ne kemi mbyllur  90 % të tyre se pjesa tjetër janë raste që nuk kanë  përmbushur kushtet”, thotë psikologia Borjana Dine.

Mosha  nga 15 deri në 18 vjeç që kryesonte vitet e shkuara  sa i përket numrit të denoncimeve,  në  raportin e fundit   mban vendin e tretë.  Ndërkohë mes nxënësve të shkollave  është vënë re një tjetër prirje.

“Risi e këtij viti mes moshatarëve, hapja e grupeve spam apo ngl link mes emrave të shkollave në “Instagram”, ku përmes mesazheve anonime nga nxënës më shumë janë bullizuar, kanë shfaqur gjuhë urrejtje, kanë kërcënuar, nxënës, moshatar, por ka pasur raste dhe për mësuesit”, shprehet ajo.

Peshën më të madhe të referimeve e mban Tirana  me më shumë se gjysmën e rasteve, ndiqet nga Fieri, Durrësi dhe Kukësi. /abcnews.al/

GEAR Sh.p.k