Katër operacione policore dhe katër viktima, brenda një jave. Gjermania po diskuton sërish mbi dhunën policore dhe racizmin. Viktima më e fundit është një refugjat 16-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me mitraloz.
Ishte vetëmbrojtje apo tejkalim i kompetencave policore? Kjo është pyetja që shumë gjermanë kanë ngritur pas operacionit policor ku mbeti i vrarë një 16-vjeçar nga Senegali. Ngjarja ndodhi të hënën (08.08) në qytetin e Dortmundit në Renaninë Veriore-Vestfali, landi më i populluar gjerman. Kujdestari i një strehëze rinore telefonoi policinë për ndihmë, pasi një i ri i qendrës po shfaqte çrregullime mendore. Punonjësi pati frikë se Mohammed D., i mitur i pashoqëruar nga prindërit, ardhur nga Senegali në Gjermani, po tentonte të vetëvritej me thikë.
Me të mbërritur në vendngjarje, policia përdori spray djegës dhe pistoletë neutralizuese, por pa sukses. Oficerët policorë u shprehën se situata doli jashtë kontrollit, kur adoleshenti i kërcënoi ata me thikën e tij. Njëri prej tyre e qëlloi Mohammedin të paktën pesë herë. Djali humbi jetën sapo arriti në spitalin e Dortmundit. Pas ngjarjes, ndaj policit 29-vjeçar nisën hetimet, një procedurë rutinë, e cila ndërmerret nga grupi hetimor sa herë ka një shkëmbim zjarri me pasoja fatale.