Më 17 qershor, gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i emisionit “Xhadat” në MCN TV u përballën me dhunë fizike dhe verbale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre gazetare në ambientet e Bashkisë së Kurbinit.
Raportimet tregojnë se ekipi u kërcënua dhe u largua me forcë nga godina e bashkisë, ndërsa policia bashkiake nuk ndërhyri, edhe pse në vendngjarje ndodheshin persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar.
Veprime të tilla përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar, veçanërisht kur ndodhin brenda një institucioni publik.
I ftuar ditën e sotme në emisionin “Kafe Shqeto” për të ndarë më shumë detaje nga ky incident, Karaj tregoi se në momentin kur ata u ngjitën në katin e zyrës së kryetares, nuk gjetën askënd dhe u detyruan të zbrisnin sërish poshtë.
Aty konstatuan praninë e disa efektivëve të policisë bashkiake, të cilët kishin bllokuar hyrjen dhe, në vend që të siguronin një mjedis të qetë për punën e gazetarëve, qëndronin duke pirë cigare brenda ambienteve të bashkisë.
Gazetari theksoi se nuk kishte asnjë arsye ligjore që atij t’i ndalohej kalimi apo ushtrimi i detyrës së tij.
Ai u përball me refuzim të hapur kur kërkoi të kalonte për të kryer një intervistë apo për të kërkuar informacion, duke nënvizuar se një institucion publik nuk mund të funksionojë në bazë të kërkesave me shkrim të miratuara nga “zyra e protokollit”, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që prekin interesin e qytetarëve.
Sipas tij, prania e njerëzve të njohur për aktivitet politik në terren dhe sjellja e tyre agresive brenda ambienteve të bashkisë tregon se në këtë rast “banda dolën hapur”.
Deklarata e tij:
“Ngjitemi lart për tek zyra e kryetares, nuk gjejmë njeri e zbresim poshtë prapë. Aty shikojmë një tufë policësh që ishin bërë gardh se kishim ardhur ne aty, me syze e pinin dhe duhan në ambientet brenda dhe realisht kjo ishte e habitshme. Çfarë donte policia aty për të penguar punën tonë?
Unë i pyeta qëllimisht: kush jeni ju? “Policia bashkiake”, më thanë. I thashë: nuk kam punë me ju, më lejoni të kaloj, sepse kam punën time.
‘Nuk lejohet”, më thanë. “Duhet të bësh kërkesë’. Nuk mund të më thotë mua policia bashkiake se çfarë të bëj dhe kërkesa për informacion që ne drejtojmë ndaj këtyre institucioneve është gjithmonë pengesë që ne mos të marrim përgjigje.
Unë e kam cituar dhe aty: nuk jam unë zyrë protokolli që t’i nis me shkrim kërkesat e mia.
Tani, përse ishte problem aq i madh që aty të merrej një intervistë, qoftë dhe nga dikush që e ka parë nga afër atë zonë, se ndoshta kryetarja as që e ka parë fare, ndoshta nënkryetari po, ose sekretari i përgjithshëm. Pra, dikush aty duhet të fliste.
Drejtuesi i institucionit e ka për detyrë që t’i dalë publikisht e të flasë për hallet e qytetarëve, sepse këtu nuk bëhet fjalë për hallin tim vetjak, bëhet fjalë për të gjithë banorët.
Reagimi i kryebashkiakes Cara ka qenë i tillë, që unë kam qeshur pasi e kam lexuar, sepse edhe pas atij sulmi, apo asaj situate që ndodhi, ne kishim reagime të tjera dhe personalisht mua më shkruanin dhe njerëz të saj, e personalisht i kam refuzuar.
Aty nuk kishte nevojë për sqarim. Në momentin që ka ndodhur ngjarja, thanë se ajo nuk ka pasur dijeni. Tani, nuk ndodh që kryetarja të mos e marrë vesh këtë ngjarje, ose ajo nuk merr vesh asgjë çfarë ndodh në këtë institucion, në zonën e saj, në atë bashki.
Banda në këtë rast, në bashki, dolën hapur. Pra, njerëz që i shohim në terren për të blerë vota, këtë herë i pamë në bashki. E erdhën mjaft dhunshëm, me shapka me gisht si të fortët e zonës”.