Dhunuan barbarisht përmbaruesit, lihen në burg babë e bir në Elbasan

0
1597

Misir e Nelson Hoxha, babë e bir, të cilët dhunuan barbarisht dy përmbarues privatë në Librazhd janë lënë në burg nga Prokuroria e Elbasanit.

Dy përmbaruesit privatë Altin Latifi dhe Engjëll Muskaj, kishin shkuar të sekuestronin brenda ambienteve të resorit në pronësi të familjes Hoxha orenditë. Mirëpo nuk u lejuan të bënin detyrën që u ishte caktuar.

Resorti ku ndodhi ngjarja e rëndë është në pronësi të familjes Hoxha dhe ndodhet  në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në Mirakë. Ishte Misir Hoxha, që fillimisht ka goditur pa mëshirë, dy përmbaruesit privat teksa po bëheshin gati të sekuestronin brenda ambienteve të resortit orenditë e tij. Më pas në ndihmë i ka ardhur djali, Nelson Hoxha.

Sipas burimeve zyrtare, me një vendim gjykate të vitit 2014, Arben Isufi i shoqërisë “Arbeni-Al” shpk kishte fituar të drejta për pagimin e një borxhi rreth 100 mijë euro. Për pagimin e borxhit ngarkohej shoqëria “Resort Ballkan” shpk, pronare e resortit të familjes Hoxha. Këta të fundit kanë refuzuar kategorikisht një fakt të tillë, duke iu shmangur mbylljes së borxhit.

Për ekzekutimin e borxhit pas 10 vjetësh ishin pajtuar dy përmbarues, Altin Latifi me Engjëll Muskaj që përfaqësojnë  shoqërinë private “Enforcement Group” shpk me qendër në Fier.