Temperaturat e ulëta të dimrit kanë shtuar ndjeshëm vështirësitë për pensionistët në qytetin e Librazhdit. Rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe druve të zjarrit e ka kthyer ngrohjen në një barrë të rëndë për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat detyrohen të kufizojnë edhe kushtet minimale të jetesës.
Pensionistët shprehen se çmimi i druve të zjarrit ka arritur deri në 70 mijë lekë për metër kub, duke e bërë edhe këtë alternativë gjithnjë e më të vështirë për t’u përballuar.
Përveç shpenzimeve për ngrohje, ata përballen njëkohësisht me kosto të larta për ilaçe dhe kujdes shëndetësor, të domosdoshme për moshën e tyre.
Sipas tyre, nga viti në vit çmimi i druve rritet, ndërsa të ardhurat mbeten të pandryshuara.
Për të siguruar ngrohjen gjatë dimrit, shumë pensionistë thonë se do të detyrohen të kursejnë, duke hequr dorë nga produkte të tjera bazë të shportës ushqimore.
Vështirësia për të përballuar shpenzimet mbetet e lartë, ndërsa dimri kthehet në një sfidë të përditshme për pensionistët e Librazhdit, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje për të kaluar muajt e ftohtë në kushte minimale jetese.


