Thethi po vuan këtë dimër izolimin për shkak të reshjeve të dëborës që kanë bllokuar rrugën drejt zonës turistike në Alpe.
Mjeti i Forcave të Armatosura prej një jave ndodhet në rrugën që drejton për në pikën turistike të Thethit për të bërë pastrimin e saj prej reshjeve të dendura të dëborës.
Ndërsa në terren punohet me ritme të ngadalta, rreth 150 banorët që jetojnë në Theth, nga izolimi mund të dalin vetëm në këmbë.
Si rrallë ndonjëherë, temperaturat gjatë këtyre ditëve në zonën e Thethit kanë shkuar deri në -17 Gradë Celcius, çka ka bërë që reshjet e rëna të dëborës të ngrijnë dhe çarja e tyre të bëhet më e vështirësi.
Arjan Cerku, pronar i një bujtine në Theth ka disa muaj që e mban mbyllur e për lehtësi ka zbritur e jeton në Shkodër.
Tregon se me këto ritme, rruga rrezikon të mos hapet edhe për më shumë se 2 muaj.
Arjan Cerku: Thethi është i bllokuar prej një muaj e gjysmë, që kur ka filluar bora e parë dhe deri sot. Është shumë vonë sot me fillu me e hap rrugën e Qafë Thores. Duhet të kishte nisur natën që ka filluar bora e parë.
Dëshmia se sa i ashpër është dimri në këto zona, është e dukshme ngado që hedh sytë.
Dëbora i ka fshirë çdo gjurmë rrugës Bogë -Qafë Thore, si dëshmi e dimrit të ashpër, por dhe ndërhyrjes së munguar.
E përkthyer në trashësinë e dëborës ajo i kalon së paku 2 metra në këtë pikë.
Pamja që ka marrë prej bardhësisë kjo zonë e Alpeve është e magjishme.
Por të paktë janë ata që mund ta gëzojnë.Turistët këtë vit e humbën mundësinë.
Vetëm pak kilometra me tej, në anën tjetër të kufirit, Kaloshini është i mbushur me turistë.
Realiteti tek ne është tjetër, bujtinat kanë mbyllur prej muajsh.
Pjeter Kodra, ruan një prej këtyre komplekseve dhe na tregon se që prej dhjetorit këtu nuk ka këmbë njeriu.
Pjeter Kodra: Asnjë lloj qarkullimi se nuk mund ta bëjë njeri me këtë borë.
Në pranverën e këtij viti janë parashikuar të përmbyllen punimet për rrugën e re të Thethit, nga Qafa e Thores në brendësi të këtij fshati.
Por sa do të arrihen të respektohen këto afate për rrugën e Thethit dhe a do të mundet që pas këtij investimi kjo zonë të dalë përfundimisht nga izolimi dhe ta quajë histori të së shkuarës atë me dimra të acartë kur bora izolon dhe bllokon turizmin, do të mbetet për tu parë.