Dinamika e vrasjes në Vlorë, autorët helmuan qenin e komshiut, prenë dritat dhe më pas kryen krimin

0
195

Vrasja e kryer më tepër se nëntë ditë më parë por e zbuluar  vetëm të shtunën, 19 shkurt, e shtetasit Altin Alikaj, 46 vjeç mbetet ende mister dhe pa autor.

Burimet e policisë Vlorë konfirmojnë se më tepër se 15 persona janë marrë në pyetje për këtë ngjarje, mes tyre familjarë, miq dhe banorë të lagjes por në dëshminë e tyre nuk kanë nxjerrë asgjë në dritë.

Dëshmitë në komisariatin e Vlorës të këtyre personave konfirmojnë faktin se ish-nënoficeri në repartin ushtarak të vitit 2004 ishte përdorues droge dhe shpesh herë si një i tillë kërkonte dhe borxhe teksa familjarët shprehen se nuk kanë dijeni për asnjë konflikt  që mund të ketë 46-vjeçari.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur natën dhe përsa i përket dinamikës së saj tregohet se mund të kenë qenë dy ose më shumë persona.

Fillimisht janë afruar pranë banesës së tij ku kanë helmuar qenin e komshiut me ushqim të helmuar dhe më pas kanë prerë edhe automatin e dritave.

Janë futur duke kaluar murin e banesës dhe duke përdorur forcë për hapjen e dyerve.

Ekspertiza nxjerr në pah se 46-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt me armë zjarri të llojit pistoletë në shpatull nga krahu zemrës dhe ka të çara në pjesën e kafkës, të cilat mund të jenë shkaktuar nga sëpata e cila është gjetur në banesë me njolla gjaku

Dyshohet se përpara se ta vrisnin mund edhe ta kenë lidhur.

46-vjeçari, Altin Alikaj, u shpall i zhdukur në datën 11 shkurt teksa hije dyshimi shfaqen edhe në faktin se në afro 8 ditë që ka marrë denoncimin për humbjen e tij, policia e Vlorës nuk ka kontrolluar asnjëherë banesën e tij.

Denoncimin e ka bërë kushëriri i tij në datën 11 shkurt teksa vrasja mund të ketë ndodhur pak ditë përpara kësaj date.

Kohë më përpara vrasjes 46-vjeçari kishte qenë në Kosovë teksa i kishin marrë edhe pasaportën, më pas ky i fundit kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri.

Pistat kryesore të hetimit ku po punohet është prishja e pazareve të drogës si dhe borxhet që ky i fundit mund tu ketë patur te tjerë personave por nuk përjashtohet as fakti që 46-vjeçari të jetë vrarë edhe për ndonjë informacion që dinte, ku në këtë pistë më tepër dyshimet i shtoi fakti që në banesën e tij nuk është gjetur celulari që përdorte.

Në zonë nuk ka kamera sigurie pasi po flasim për një lagje periferike të Vlorës dhe në atë orar e gjithë zona është në terr të plotë.

Fqinjët shprehen se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë që mund ti bënte ata të dyshonin se në banesën e Altin Alikajt të ketë ndodhur ndonjë krim.

Policia ndërkohë vijon hetimet ku janë sekuestruar kamera të sigurisë në distancë të largët me banesën për të zbuluar lëvizjet e mundshme të 46-vjeçarit pak ditë përpara ngjarjes.