Zbardhet dinamika e plotë e vrasjes së nënkomisarit të policisë së Lezhës Saimir Hoxha. Mesohet se Aldi Rama ka pasur me vete dy krehëra me fishekë pistolete në momentin e ngjarjes.
Njërin prej tyre e ka hedhur në vendin e ngjarjes pasi qëlloi në drejtim të Hoxhës ndërsa tjetri është gjetur aty ku 21-vjeçari qëlloi ndaj vetes. Burime bëjnë me dije nga grupi hetimor se Rama ka qëlluar drejt efektivit fillimisht nga sedilja e pasme dhe plumbi e ka kapur atë në qafë.
Më pasi ai ka dalë nga makina për t’u ulur në vendin e shoferit dhe aty ka qëlluar sërish drejt Hoxhës. Kësaj radhe plumbi i ka kapur zemrën nënkomisarit i cili ndërroi jetë rrugës për në spital.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës.
E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike janë gjetur në makinën e efektivëve të policisë. m.v/abcnew