Disa ndryshime në listën e Kombëtares/ Sylvinho fton Shpendin, një lojtar lë kuqezinjtë për Zvicrën

0
2

Ndryshime në listën e Kombëtares para ndeshjeve të shtatorit me Gjibraltarin dhe Letoninë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares. Bajrami ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën.

Pasi është vënë në dijeni për këtë vendim të lojtarit, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë mbrojtësin Maldini Kacurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje. Kacurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.

Në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, është thirrur Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, që ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.

Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje.

Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë sulmuesin Cristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21.