“Disa vajza kanë tentuar t’i japin fund jetës”/ Shantazhi dhe denigrimi në rrjetet sociale, fenomen shqetësues, adoleshentët

0
2

Shantazhi dhe denigrimi i adoleshentëve në qytetin e Korçës nëpërmjet rrjeteve sociale është kthyer në një fenomen shqetësues.
Shumë adoleshentë kanë rënë pre e shantazhit nga një faqe anonime në Instagram e cila ka shpërndarë të dhëna personale, foto dhe video të tyre.

Kjo faqe, sipas adoleshentëve ka shpërndarë në një hark kohor prej 4 vitesh shumë video dhe foto me emra me qëllim shantazhin dhe denigrimin e figurës së tyre.

Adoleshentët tregojnë se faqja në Instagram nuk qëndron gjithmonë aktive por mbyllet dhe hapet herë pas here me qëllim për të fshehur gjurmët.

Përveç denigrimit kjo faqe ka si qëllim edhe kërcënimet aq sa në të shumtat e rasteve adoleshentët në gjendje të rënduar psikologjike kanë tentuar vetëvrasjen.

 

 

Mosha më e prekur janë 15-18 vjeçarët por nuk përjashtohen edhe raste të tjera.
Dy prej adoleshentëve që News24 ka mundur të sigurojë dëshminë e tyre sqarojnë se janë munduar që gjërat ti çojnë edhe më tej ,në polici.
Ata kërkojnë që sa më shpejt autorët të vihen përpara përgjegjësisë pasi presioni që ata ushtrojnë mbi ta shpeshherë me shkrime të pavërteta, është shumë i madh.

“Unë jam 15 vjeç, e mësova nga shoqëria ime që isha postuar në këtë faqe. Nuk e përjetova mirë por aty thoshin gjëra të pavërteta dhe nuk i mora shumë për bazë.
Disa prej tyre kanë qënë miqtë e mi dhe nuk e kanë përjetuar mirë këtë çështje, disa prej vajzave kanë tentuar të vrasin edhe veten.
Kjo faqe është hapur disa herë dhe është hapur prej 4 vitesh.
Hapet dhe mbyllet shpesh, çdo 6 muaj, çdo 3 muaj. Aty ka ofendime të njerëzve, gënjeshtra, foto.
Aty duan vetëm të ofendojnë dhe t’i bëjnë njerëzit të ndihen keq, aty komentojnë shumë njerëz jo vetëm një person, aty është një program i cili i ndihmon njerëzit të shkruajnë dhe të flasin për njerëzit e tjerë dhe të postohen pa emër, anonim.
Aty nuk të del emri, nuk të tregon se kush shkruan, thjesht shkruan dhe e poston, je anonim.
Disa prej vajzave kishin shkuar në polici dhe i kishin thënë që duhet të hapen çështje të tjera nuk mund të bënin gjë policët, por duhet të vinin në gjykatë, duhet të zinin prokuror. Duhet të gjenden me patjetër, duhen të merren masa”, shprehet njëri prej tyre.

“Sa e zbulova, kjo faqe u hap një ditë para se të më hidhnin mua, më tha një shok shiko se të kanë hedhur tek kjo faqe dhe e lexova(çfarë kishin shkruar), u ndjeva shumë keq kur e lexova se më ulën shumë, ishin gjëra kot pa lidhje.
Nxirrte shumë foto të vajzave nudo, shumë budallëqe, shumë gjëra që nuk ishin të vërteta.
Mua më përfshinë me një vajzë që kam qenë i lidhur më parë, pastaj të hapnin name te faqja, jo me filanin me këto…shumë keq, jam mërzitur shumë, nuk më ka pëlqyer fare.
Kam shumë shoqëri që i kishin nxjerrë aty, shumë shokë e shoqe, mesa di unë ata e kanë përjetuar shumë keq, si mua, edhe mua nuk më erdhi mirë kur e lexova atë gjë”, shprehet një tjetër prej tyre.
Pyetur nëse i kanë shkruar kësaj adrese, personazhi nr 2 sqaron: Ato që ata shkruajnë është shumë presion i madh për moshën tonë, është shumë budallallëk të hedhësh një shok ose një shoqe, të shkruash aty filani ka bërë këtë gjë, ka bërë atë gjë…
Duhet tu jepet dënim me burg, se nuk ulet një njeri në një faqe instagrami, nëse ke për të thënë gjë thuaje në fytyrë jo mbrapa telefonit se nuk është gjë normale, është shumë gabim.

Sektori kundër krimit kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Shtetit ka nisur hetimet për rastin dhe ekspertet kanë ndërhyrë duke mbyllur faqen.
Ne policinë e Koçës deri tani ka vetëm një denoncim për faqen i bere nga një oficere e sigurie në një prej shkollave të qytetit të Korçës.