INSTAT ka raportuar për një diskriminim të fortë mes burrave dhe grave në pagat e dhëna në sektorin privatë. Sipas të dhënave për të njëjtën punë ka një diferencë prej rreth 20 për qind. Ndërkaq sektori i shëndetësisë nuk renditet te më të paguarit.
Shqipëria ka regjistruar një hendek të thellë gjinor në aspektin e pagave.
Sipas rezultateve të anketës “Struktura e të Ardhurave nga Puna në Shqipëri” të publikuar nga INSTAT burrat janë paguar për të njëjtën punë dhe me të njëjtin nivel arsimi më shumë se gratë.
Gjatë muajit tetor të vitit 2018 kur dhe janë marrë rezultatet të ardhurat mesatare vjetore janë regjistruar në nivelin e 595 mijë lekëve dhe meshkujt me arsim të lartë janë paguar rreth 420 lekë për orë ndërsa femrat rreth 372 lekë.
E njëjta statistikë është regjistruar edhe për të punësuarit me arsim të mesëm e të ulët, ku burrat janë paguar 193 lekë për orë pune, ndërsa gratë 164 lekë.
E ndarë në sektorë kjo diferencë është më e thellë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 34.9%, ndërsa më i ulët në sektorin e shërbimeve.
Anketa ka konstatuar se të ardhurat më të larta janë siguruar nga sektori i financave dhe sigurimet me rreth 586 lekë për orë pune.
Shëndetësia renditet e nënta në listë dhe paguhet me 326 lekë për orë.
Sektori më pak i paguar rezultojnë në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimore me 187 lekë.
Një tjetër tregues i përfshirë në anketë është edhe vlerësimi i grupmoshave me paga, ku vihet re se eksperienca vlerësohet më shumë.
Kështu që të ardhurat më të ulëta në rang ekonomie janë për të rinjtë nën moshën 30 vjeç të cilët paguhen rreth 261 lekë për një orë pune.
Ora news