Pasi ka marrë deponimin e qytetarit, oficeri i Policisë Gjyqësore Lazar Tuni, ka vendosur që qytetari të kryejë ekspertizë mjeko-ligjore, por duke e shtyrë për një ditë tjetër. Ndërkohë, Tuni ka bërë edhe gabime në tekstin e kallëzimit, duke ngatërruar emerin e Amarildo Hoxhës me të një qytetare tjetër.
ELBASAN– Një tregtar fruta-perimesh që ushtron aktivitetin e tij në qytetin e Elbasanit ka denoncuar dhunën e efektivëve të Policisë së Rendit të Komisariatit të Lushnjes. Në një prononcim për SyriTV, me shenja dhune e fraktura të rënda në fytyrë e kokë, Amarildo Hoxha tha se është ndaluar për kontroll në autostradë dhe është dhunuar barbarisht nga dy efektivë të cilëve nuk ua di emrat. Qytetari Hoxhaj shton se fillimisht i janë kërkuar dokumentet, leja e qarkullimit dhe patenta, por efektivi është acaruar kur ka parë që Hoxha ishte ‘live’ në rrjetet sociale përmes celularit të tij.
Më pas qytetari tregon se një nga efektivët e ka qëlluar në kokë me tabelën që mbante, tjetri i ka thyer telefonin në kokë. Hoxhaj shton se është mbajtur deri në orën 15:00 duke u dhunuar në komisariatin e Policisë Lushnje. Më pas familja e ka marrë dhe e ka dërguar në Elbasan aty ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore si dhe ka bërë kallëzimin kundrejt efektivëve. Pasi ka marrë deponimin e qytetarit, oficeri i Policisë Gjyqësore Lazar Tuni, ka vendosur që qytetari të kryejë ekspertizë mjeko-ligjore, por duke e shtyrë për një ditë tjetër. Ndërkohë, Tuni ka bërë edhe gabime në tekstin e kallëzimit, duke ngatërruar emerin e Amarildo Hoxhës me të një qytetare tjetër.
“U nxorra lejen e qarkullimit dhe patentën dhe ndërkohë isha LIVE në ato momente. Më tha pse del live ti në momentin që unë të kërkoj këto. I thashë s’ke punë me këta ti, merri këto letrat dhe shikoji. Më morën dhe më tërhoqën zvarrë, më zbritën nga furgoni dhe më dërguan në komisariat. Më goditi polici me grusht, me shqeu derën, tjetri me theu tabelën në kokë e më pas më thyen dhe telefonin në kokë. Deri në orën tre të pasdites nuk dinte asgjë për mua familja. Njëri mori makinën time dhe mua më hodhën në furgon dhe më goditën me grushte. Asgjë tjetër, mua më lotonte syri gjak, ata talleshin dhe qeshnin. Jam shumë sëmurë, kam marrje mendsh, të vjella. Një nga efektivët u thanë më pas nxirreni se do të na vdesë djali aty. Familjarët mi lajmëroi njëri aty, mik pas miku dhe erdhën. Më solli babi në Elbasan dhe bëra kallëzimin, a ka shtet apo s’ka? Ku të shkoj unë?,”- tregon Hoxha.