Nën temperaturat që gjatë ditës së sotme pritet të shkojnë në 40 gradë, dhjetra qytetarë të Elbasanit, por edhe bashkive përrreth janë detyruar që të presin në radhë këtë të hënë, për të marrë shërbim në klinikën e specialiteteve.
Të diagnostifikuar me tension, diabet, e sëmundje të tjera kronike, qytetarët presin të marrin shërbim nga mjekët specialistë, ngjitur me njëri tjetrin, dhe pa asnjë masë kufizuese ndaj Covid, edhe pse varianti Delta është konfirmuar zyrtarisht se ka hyrë në vendin tonë.
Të pyetur nga gazetarja e Fax News, Entela Duka, nëse kanë lënë takim online me mjekët specialistë, qytetarët shprehen se ky shërbim ka dështuar, dhe e vetmja zgjidhje është që të presin në diell, në këmbë, pasi pranë klinikës së specialiteteve nuk ka as stola ku mund të ulen të moshuarit.
Ka nga ata qytetarë që ankohen për mos respektimin e radhës, duke fajësuar njëri-tjetrin por edhe bluzat e bardha.
Disa prej tyre, të irrituar nga pritjet e gjata, dhe mungesë e marrjes në kohë të shërbimit, nuk pranojnë të flasin për kamerat, ndërsa të tjerë shpjegojnë:
“Këtu nuk ka as stola, rrimë në këmbë, ka njerëz që nuk mbarojnë punë se nuk iu del koha, dhe duhet të kthehen sërish në fshat nga vijnë. Po frikën e kemi, siç e shihni dhe vetë të gjithë pa maska, edhe distanca është zero, nuk respektohet. Edhe ne nuk durojmë dot, distancën duhet ta mbajmë vetë”.
“Ti faleminderit që interesohesh, por e shikon dhe vetë ça bëhet”.
“Unë nuk rri dot në këmbë as 5 minuta, por çfarë të bëj, nuk ka asnjë stol ku të ulem, ndoshta do të më bjerë dhe të fikët, por çfarë të bëj, i bëj thirrje shtetit që të ketë disa stola ku të ulemi të paktën. Nuk ka asgjë”.
“Unë vuaj nga diabeti, të më bjerë të fikët këtu. Njëherë më ulet, njëherë më ngrihet diabeti, ne kërkojmë që të mos ketë radhë, por çfarë të bëjmë (përlotet).”.