“Do ngrihen seksione të posaçme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira”, Prokuroria miraton planin e masave për 11 Majin

0
3

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, miratoi sot udhëzimin e përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale në periudhën para dhe pas zgjedhjeve.

Në kuadër të këtyre masave, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin  demokratik të zgjedhjeve në kompetencën e tyre.

Sipas marrëveshjes së lidhur mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit do të vendosë të dispozicion të seksioneve të posaçme të përkohshme oficerë të policisë gjyqësore, ekspertizë, pajisje logjistike si dhe grupe operacionale për mbështetjen e hetimeve.

Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit synon hetimin e shpejtë dhe tërësor të veprave penale, reagimin e shpejtë ndaj informacioneve dhe denoncimeve që lidhen me krimet zgjedhore, duke kryer verifikimet paraprake e procedurale dhe referuar çështjet në prokurori.

Për të siguruar bashkëpunim institucional efektiv për procesin zgjedhor, me qëllim sigurimin e efektivitetit dhe eficencës në hetime, do të koordinohet veprimtaria edhe me Prokurorinë e Posaçme dhe KQZ në të gjitha nivelet, me qëllim transmetimin në kohë të shpejtë të kallëzimeve penale, procedimeve penale dhe çdo të dhëne tjetër.

Prokurorëve u kërkohet të kryejnë hetime proaktive, duke ndjekur një politikë penale rigoroze lidhur me kërkesat për caktimin e masave të sigurimit dhe masat e dënimit. Në faqen e internetit të Prokurorisë së Përgjithshme do të vihet në dispozicion një format standard kallëzimi për të ndihmuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë cenuar interesat e tyre si zgjedhës.