Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim masakrën e Cërrikut me nëntë të akuzuar për vrasjen e 6 gardistëve dhe plagosjen e rrezikimin e jetës së 16 të tjerëve gjatë ngjarjeve të 1997.
Përmbi një dekadë më parë masakra e Cërrikut u gjykua në këtë sallë, dhe prokuroria e asaj kohe këmbënguli se i kishte provat ndaj të akuzuarve të 1997 që në Cërrik nisi me probleme në 19 maj 1997. Në 22 maj 1997, shefi i komisariatit kërkoi përforcime dhe për këtë arsye, një autokolonë me 30 efektivë të gardës u nis drejt Cërrikut për të rimarrë postën policore e për të rivendosur rendin.
Sulmi ndaj forcave të rendit ndodhi në 23 maj në momentin që efektivët e policisë së Elbasanit dhe të gardës hynë në Cërrik ku dhe konstatuan së pari mjetin e djegur të postës së policisë. Më pas autokolona u sulmua me armë zjarri por edhe me antitank, duke detyruar gardistët që gjendeshin në blind të dilnin.
Por në momentin që ata zbritën në shesh janë gjendur nën sulmin e armëve ku si pasojë Besnik Sula, Sali Martini, Petrit Ndoi gjetën vdekjen aty ndërsa Halit Haxhia dhe Bashkim Mnella u dogjën në mjet. Efektivi i gjashtë i gardës Qemal Mehmeti arriti të largohet nga vatra e zjarrit, por ai u ndoq këmba këmbës dhe u qëllua për vdekje.
Më herët gjykatat kishin vënë në pikëpyetje hetimet e kryera ndaj të akuzuarve, bazuar në dëshmitë mes tyre edhe të ish kryetares së bashkisë Cërrik shtetases Mishelina Xhela e cila ka deklaruar se njëri prej tyre Llazar Bicja bashkë me përfaqësues të forcave politike të kanë qenë në zyrën e saj gjatë kohës që ka ndodhur masakra.
Top Channel