“Do të mbajmë lart emrin e Skënderbeut”, zv/trajneri Liçi: Nuk do të luftojmë për mbijetesë

0
232

Skënderbeu është gati që të nisë garën. Pas një faze të stërgjatë përgatitore, në Korçë janë në pritje të nisjes së kampionatit. Nëse deri para pak kohësh dukej e pamundur që të bëheshim një skuadër, sot situata ka ndryshuar katërcipërisht. Me Julian Ahmatajn në krye është ndërtuar një grup cilësor, që do të tentojë ta mbajë lart emrin e vendosur me aq mund nga bardhekuqtë. Këtë e thotë edhe numri dy i stolit, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Gentian Liçi është i bindur që skuadra është e kompletuar dhe do të mund ta përballojë me sukses sezonin 2020-2021.
“Të flasësh për këtë fazë përgatitore dhe periudhën e ndërtimit të ekipit nuk është assesi e lehtë. Askush nuk e mendonte se do të ishim këtu në këtë moment. Ka qenë një periudhë e vështirë, pasi gjithçka dukej e pamundur. E kam fjalën që në momentin kur më shumë se 12 lojtarë janë larguar nga ekipi. Pas mbylljes së sezonit me reparte të gjitha për t’u rindërtuar, nuk ka qenë e thjeshtë të mendohet se do të bënim mirë siç kemi bërë. Kemi kaluar një fazë të ngarkuar me testime dhe besoj se elementët e duhur në ekip i kemi tashmë. Trajneri Ahmataj i ka dhënë tjetër filozofi grupit që do të punojë me lojtarë të rinj dhe duhet motivim i madh. Përshtatja ka qenë pak e sikletshme, pasi kujtojmë se ku ka qenë ky Skënderbe para disa vitesh. Por, sërish jam i bindur se kemi zgjedhur njerëzit e duhur për të mbajtur lart këtë ekip. Në ndeshjen e fundit miqësore (atë me Kukësin), treguam se kemi nivel dhe nuk jemi ekip që do të luftojë për fundin e tabelës. Do të mbajmë lart emrin e Skënderbeut dhe paraqitjet që kemi bërë deri më tani, do t’i ruajmë edhe kur të nisë zyrtarisht gara”, theksoi fillimisht zv.trajneri.

BOJKOTI, NJË NDIHMË
Korçari foli edhe për bojkotin e kampionatit. Pavarësisht se nuk donte të komentonte zgjedhjen e Ligës Profesioniste, ai theksoi se kjo periudhë i bëri mirë ekipit. “Të them të drejtën, kjo periudhë e gjatë përgatitjesh na duhej dhe them se ishte në të mirën tonë. Siç e thashë më herët, kishim shumë lojtarë që po i provonim dhe kjo kohë na shërbeu që të mos nxitoheshim për asnjë lëvizje. Bëmë një punë të madhe dhe do të ishte e pamundur që të fillonim direkt. Tani jemi gati për të filluar dhe kjo është më e mira”, përfundoi Gentian Liçi.

 

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL