“Në këtë botë nuk mund të thuhet se ka gjë të sigurt, përveç vdekjes dhe taksave”… Kjo thënie e ekonomistit Benjamin Franklin që në vitin 1789 i ka rezistuar kohës. Ajo që ndryshon është “barra e taksave”, që zakonisht shtohet. E njëjta pritet të ndodhë edhe në Shqipëri. Do të paguajmë më shumë taksa në vijim… të paktën kështu planifikon qeveria.
“A planifikon qeveria që dikush të paguaj taksa shtesë? Kam frikë se po”, u shpreh Mateo Spaho.
Konkretisht Ministria e Financave planifikon të mbledhë më shumë para nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mbi produktet që konsumojmë. Nga më pak se 214 miliardë lekë këtë vit, arkëtimet nga TVSH në vitin 2027 pritet të kapin shifrën e gati 262 miliardë lekë.
Gjithashtu “financat” presin që nga rreth 64 miliardë lekë këtë vit, nga të ardhurat personale të të punësuarve në vitin 2027 të arkëtohen gati 78 miliardë lekë.
“Bëhet fjalë për një futje të mundshme në taksim edhe të bizneseve të vogla me xhiro nën 14 milionë lekë. Rreziku është edhe rikthimi i tatimit të profesioneve të lira. Nëse kjo do të ndodhte do të kishim një situatë të vështirë”, theksoi Spaho.
Ministria e Financave pret ndërkohë që nga që nga më pak se 60 miliardë lekë këtë vit, nga tatim-fitimi i bizneseve në vitin 2027 të arkëtohen gati 73 miliardë lekë.
Kjo si pasojë edhe e përfshirjes së sistemin e taksimit të disa bizneseve të përjashtuar prej vitesh nga tatimi.
“Nëse ne do të kemi një situatë me sa më pak përjashtime fiskale atëherë do të kishim një mundësi për më shumë kontroll dhe rrjedhimisht më shumë para të arkëtuara në buxhet”.
Qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 20 taksa. Edhe pse disa nuk paguhen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tri janë llojet e pagesave fiskale që të gjithë ne bëjmë çdo vit… tatimi mbi fitimin e bizneseve, tatimi mbi të ardhurat personale dhe ai mbi pagën e individëve. (A2 Televizion)