
Sali Berisha, pas ballokumeve të marsit, u rikthye në Elbasan. Ai prezantoi kandidatët e rinj, nga Klodiana e fisit Çapja tek tenori Armaldo Kllogjëri. Nga mbresat e fundit, u premtoi qytetarëve se këtë vit do të kenë një Ditë të dytë Vere.
“Këtu në Elbasan isha më 14 mars, në ditën e verës. Por këtë vit, Elbasani do të ketë një ditë të dytë vere, 11 maji, do të jetë dita e Elbasanit”
Me pengun se nuk bindi dot Dashnor Sulën të rikthehej në listë, doktori vendosi ta injorojë, ndërsa për ekipin e ri, tha se nuk ka asnjë emër anonim. Ndërsa pas shpine kishte Çapjan, u ngjiti kandidatëve kundërshtarë emrin e Suel Çelës.
“Ky është ekipi më i mirë për Elbasanin, shihini, asnjë emër anonim. Shihni kandidatët e PS, Taulant Balla i Suel Çelës dhe të tjerët, shërbëtorë të krimit të organizuar dhe ordiner.”
Nga gjithë kandidatët e qarkut, fjalën e mori vetëm drejtuesi politik, Tomor Alizoti, humbësi serial nga Berati. Ai u kujtoi elbasanllinjve, kohët e vështira kur doktori fliste nga kati i 8-të i ballkonit, kurse ai me kolegët e tij i qëndronin poshtë.
“PD ka kaluar ditë të vështira, thoshin nuk do të kishte më PD. Sepse doktori ishte tek ballkoni dhe ne ishim poshtë. Por fuqia e njeriut të lirë është element hyjnor, dhe kjo parti me gjithë gjynahet, nesër ka një mision në këtë vend, sat ë jetë partia e punës, PD do jetë shpëtimtarja.”
Por, Dashnor Sula, i cili shkoi shumë vonë poshtë ballkonit, nuk ia fal doktorit injorimin, dhe i kujtoi se pa të në listë, vështirë se do të hajë më ballokume në Elbasan.
“Kryemagjistarët e listave e kthyen statutin e Partisë Demokratike në Letër Bakalli, votat e demokratëve i shndërruan në hi që zhduket pa lënë gjurmë, demokratët e fshatrave i braktisën po ashtu edhe demokratët e komunitetit të krishterë. Lista është për primarin jo, demokratët.”/abcnews.al
